Ish-kryetari i PD, Lulzim Basha, pas një mungese të gjatë, ka zbritur sërish në terren duke zhvilluar një takim me të rinjtë në Tiranë.
Takimi i Bashës vjen vetëm pak ditë pasi Enkelejd Alibeaj dha dorëheqjen si kryetar i komanduar i PD, pas dështimit në zgjedhjet lokale të 14 majit, ku rezultatet ishin zhgënjyese.
Gjatë takimit me të rinjtë Basha ka lënë të nënkuptohet se po përgatitet për rikthimin e tij në politikën aktive, duke theksuar e kërkuar mbështetjen e tyre.
Por kreu aktual i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, mendon se kjo nuk është zgjidhja e duhur për t’i dhënë fund krizës në parti.
I Ftuar në emisionin “Open”, Bardhi u shpreh se Basha e dha dorëheqjen për tu shërbyer demokratëve e për të mos nxitur më tej krizën.
“Nuk e di qëllimin dhe objektivat e takimit. Si çdo politikan aktiv secili ka të drejtën e detyrimin të jetë në kontakt me qytetarët. Diskutimet brenda PD kurrë nuk i kam bërë me emra të caktuar. Kushdo që mohon një krizë në PD i kujtoj të kthejë kokën pas në rezultatet e 14 majit. Rezultat që kërkon pjekuri nga secili prej nesh për të reflektuar. Të mos nxitohemi për mundësinë e zgjidhjes brenda PD, e nuk dua të nxitoj në asnjë koment pa një qëndrim të qartë të cilitdo.
Sot PD është në krizë e ka nevojë për zgjidhje. Siç unë kam kuptuar aktin e tij të dorëheqjes, ishte akt në dobi të demokratëve. Asokohe kishte kërkesë që të tërhiqej edhe Berisha. Sot PD vijon të jetë në krizë dhe ne duhet të dalim mbi interesin personal për të çuar para PD. Nuk e shoh zgjidhjen të lidhur me emrin e një individi. PD nuk ka nevojë për figurën e një individi”, tha ai./Albeu.com/