Rikthim i vizave për shqiptarët? Reagon PD: 200 mijë qytetarë kanë ikur nga vendi, s’ka të ardhme (FOTO LAJM)

Të dhënat e Eurostat, nxorën në pah se shqiptarët janë ndër popujt me numrin më të lartë të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian.

Kjo situatë, sipas Eurostat, mund të rikthejë edhe regjimin e vizave sërish me popullin shqiptar.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një postim në rrjetet sociale ka komentuar të dhënat e Eurostat.

Tabaku thotë se kjo situatë mund të risjellë vendosjen e vizave sërish për shqiptarët, dhe cënon një prej kritereve të vendosura për çeljen e negociatave.

Reagimi i Tabakut:

Kemi numrin më të lartë të azilkërkuesve në Europë duke rrezikuar edhe një nga pikat e vendosura nga BE për çeljen e negociatave.

Kriteret e vendosura janë një letër lakmuesi për të kuptuar se sa seriozisht e ka qeveria jonë procesin e integrimit.

Por sot numërohen mbi 200 mijë shqiptarë që kanë ikur nga vendi në 8 vjet. Nuk shohin të ardhmen këtu, nuk besojnë më tek një qeveri që punon për veten dhe varfëron shqiptarët.

Ka ardhur koha të ndryshojmë realitetin! Ka ardhur koha që politika të punojë për qytetarët! Ka ardhur koha që integrimi të jetë kryefjala e përpjekjes sonë për një vend më të mirë dhe pranë familjes Europiane./albeu.com