Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron disa qarqe të vendit, të cilat do të jenë nën ndikimin e reshjeve të shiut. Shkodra pritet të ketë intensitet më të lartë të tyre, ndërsa në Kukës e Vlorë do të jenë të dobëta deri në mesatare dhe me shtrëngata.
IGJEUM njofton se reshjet mund të shkaktojnë rënie gurësh dhe përmbytje në disa zona urbane në Shkodër.
RESHJET:
“Sot pasdite (e shtunë, dt. 24) në qarkun Shkodër priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje të dobëta. Nesër (e diel, dt. 25) priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarkun Shkodër, ndërsa të dobëta deri lokalisht mesatare në qarqet Kukës dhe Vlorë të shoqëruara me shtrëngata. Në të gjitha qarqet e tjera priten reshje të dobëta.
Në veri në lartësitë mbi 900 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.
Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve, mund të krijojnë probleme të ndryshme, si rënie gurësh e inertesh dhe vërshime të ujit në zonat urbane të lokalizuara, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarkun Shkodër.
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 11 / 19 °C
në vendet e ulëta: 9 / 19 °C
në vendet malore: 2 / 12 °C
Sot pasdite (e shtunë, dt. 24) dhe nesër (e diel, dt. 25) era pritet të fryjë mesatare deri e fortë kryesisht në bregdet dhe në vendet malore”, thuhet në postimin në rrjetet sociale.
