Rikthehen tensionet me Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev ka deklaruar të martën se vizita e kryeministrit, Kiril Petkov në Republikën e Maqedonisë së Veriut ishte e nxituar dhe mund të keqinterpretohet.

“Çdo veprim i nxituar i qeverisë bullgare, çdo sinjal paraprak pozitiv mund të keqinterpretohet si disa lëshime nga pala bullgare”, tha Radev.

Reagimi i presidentit bullgar vjen pasi presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, më 28 janar priti një grup të maqedonasve të Bullgarisë, që nuk njihen si pakicë nga qeveria në Sofje.

Këtë veprim të presidentit Stevo Pendarovski, kreu i shtetit bullgar e vlerësoi si provokim.

“Veprimet dhe sjelljet e presidentit maqedonas nuk kontribuojnë në përparimin aq të dëshiruar të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së”, ka deklaruar presidenti bullgar, Rumen Radev, para pjesëmarrjes në një samit ndërkombëtar në Sofje nga “The Economist”.

Por, presidenti i Maqedonisë së Veriut, tha të martën se “nëse dikujt i pengon takimi i Presidentit me maqedonasit që jetojnë kudo në botë, ky nuk problem është i imi, nuk është problemi ynë”.

Ai theksoi se i ka dëgjuar maqedonasit nga Bullgaria dhe i ka udhëzuar që të drejtat e tyre të mund t’i realizojnë vetëm brenda vendit ku jetojnë ose përmes gjykatave ndërkombëtare.

Përplasjet mes zyrtarëve të të dyja vendeve vijnë pas vizitës së kryeministrit bullgar, Kiril Petkov në Shkup, dhe mbledhjes së dy qeverive në Sofje, më 25 janar.

Në këto takime janë formuar grupe të punës të cilët do të diskutojnë për më shumë sfera të bashkëpunimit ekonomike, krahas atyre të historisë.

Por, sfera e historisë është ajo që ka përplasur edhe historianët e dy vendeve, për shkak të dallimeve të mëdha për të kaluarën mes dy vendeve.

Sofja kërkon nga Shkupi që t’i njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë maqedonase.

Maqedonia e Veriut, në samitin e Bashkimit Evropian në nëntor të vitit 2020, nuk e mori datën për nisjen e bisedimeve me bllokun evropian, për shkak të vetos bullgare. /REL/


Shtuar 1.02.2022 20:36