Nëse viti 2022 ishte viti rekord i inflacionit dhe i pasigurisë në muzikën live, viti 2023 premton të jetë ‘akti hapës’ i një të ardhmeje premtuese. Dhe fillimi i pranverës së këtij viti, e dëshmoi këtë.
Industria e koncerteve në Shqipëri ka pasur rritje të dukshme gjatë viteve të fundit, me artistë ndërkombëtarë dhe vendas që organizojnë koncerte në vend.
Pandemia e ndali dhe dobësoi këtë industri kudo në botë, por duket se 2023 premton të rikthehet në nivelet parapandemike.
Një numër i madh i koncerteve të organizuara në Shqipëri kanë treguar një kërkesë të lartë në mesin e publikut, nisur që vitin e shkuar.
Ndërsa këtë vit, hapi siparin e koncerteve në dimensione të mëdha, në “Air Albania”, këngëtari grek Nikos Vertis. I njohur për publikun shqiptar, sidomos për këngën “Thelo na me nioseis”, interesi ishte i lartë për ndjekjen e këtij koncerti.
Nisi rreth orës 21:00 të mbrëmjes dhe kapaciteti i stadiumit ishte ‘sold-out’, pra i shitur tërësisht. Çmimi i biletave për këtë koncert niste me 3000 lekë dhe arrinte 100 euro në zonën VIP, më të afërt me skenën.
Një tjetër shfaqje e mirëpritur nga publiku shqiptar ishte “Notre Dame De Paris”, produksion i organizuar nga kantautori i mirënjohur italian Riccardo Cocciante.
Me trupa artistësh shumëkombësh dhe soliste këngëtaren Elhaida Dani, shfaqja e organizuar në stadiumin “Air Albania” mori zemrat dhe ‘paratë’ e shqiptarëve. Biletat nisën me 2500 lekë deri në 10 mijë lekë zona VIP më afër skenës. I gjithë kapaciteti i stadiumit ishte shitur tërësisht.
Çmimi i biletave për koncerte në Shqipëri varet shumë nga artisti, reputacioni i tij, madhësia e vendit të koncertit, pra kapaciteti i vendit ku do performojnë, si dhe nga faktorë të tjerë si lloji i koncertit dhe kërkesa e publikut.
Megjithatë, në përgjithësi, çmimet e biletave për koncerte në Shqipëri mund të ndryshojnë nga 1500-2000 lekë për koncerte më të vegjël e të pavarura, deri në disa dhjetëra mijë lekë për koncerte të mëdha dhe artistë të famshëm ndërkombëtarë.
Çmimet e biletave mund të ndryshojnë gjithashtu në varësi të vendndodhjes në arenën e koncertit (Vip, Zonë e parë, Zonë e dytë, etj.), dhe nga çmimet e vendosura nga organizatori ose promovuesi.
Një koncert i shumëpritur është ai i njoftuar që 2 muaj më parë, nga këngëtarja e mirënjohur Elvana Gjata.
I pari në këtë dimension, pritet të nisë më 22 qershor në stadiumin “Air Albania”. Sipas të dhënave të website që administron shitjen e biletave, çmimi i tyre nis nga 2000 lekë dhe arrin 10 mijë lekë në tribunat VIP. Deri më datën 8 qershor, pra 2 javë përpara nisjes, mësohet se ka mbetur 30% e kapacitetit të koncertit pa shitur ende.
Lajm i cili çuditi ditët e fundit shqiptarët, ishte padyshim njoftimi për koncerte të dy këngëtarëve me famë botërore Ricky Martin dhe Enrique Iglesias.
Koncerti i Enrique Iglesias, yllit të këngës “Hero”, do të mbahet në datën 30 qershor në Sheshin Nënë Tereza dhe çmimet e biletave do të bëhen publike pasditen e së premtes (9 qershor).
Koncerti i Ricky Martin do të mbahet në datën 22 korrik në Sheshin Nënë Tereza. Sipas informacioneve të marra në website backstage.al, biletat nisin në shifrën e 42 euro dhe arrijnë 139 euro, në varësi të administrimit të vendeve, afërsisë nga skena etj.
Për këdo që do të blejë bileta për koncertin e parë të Iglesias, do t’i ofrohet një kupon ulje prej 20% në koncertin e Ricky Martin.
Të dy këta këngëtarë kanë koncerte të përmasave gjigante, me administrim nga kompanitë më në zë të fushës në botë dhe çmimet e biletave në Shqipëri janë rreth 30% më lirë se sa një koncert në Spanjë apo Zvicër.
Një tjetër artist, Placido Domingo, ndonëse jo për herë të parë në Tiranë, rikthehet për një tjetër shfaqje. Tenori dhe dirigjenti do të shoqërohet në këtë koncert nga artistët Jenifer Rowey, Jonatan Antoine dhe Christina Ramos.
7 shtatori është pikëtakimi me këtë legjendë të muzikës operistike. Çmimi i biletave, sipas Backstage, për këtë artist luhatet nga 50 euro deri në 250 euro, duke qenë artisti më i shtrenjtë në këtë sezon në Shqipëri. /monitor