Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Greqisë kanë arritur pikën e tyre më të keqe në dekada.
Kjo, pasi Erdogan ka bërë një sërë kërcënimesh të fshehta për të pushtuar fqinjin e tij – tjetër anëtar të NATO-s.
Bisedat e ashpra kanë ngritur kërcënimin e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak – megjithëse të kufizuar.
Sakaq, ato kanë shkaktuar alarm në NATO në një kohë që aleanca po kërkon të paraqesë një front të bashkuar në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.
Greqia dhe Turqia kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada mbi një sërë mosmarrëveshjesh.
Kjo, duke përfshirë kufijtë detarë, përcaktimin e rafteve të tyre kontinentale dhe statusin e ishullit të ndarë të Qipros.
Acarimi është rritur që kur kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis përdori një vizitë në SHBA në maj për të lobuar në mënyrë efektive kundër përpjekjeve të Ankarasë për të blerë avionë luftarakë F-16 nga Washington-i.
Mitsotakis pretendoi se forcat ajrore turke po shkelnin hapësirën ajrore greke në baza ditore.
Kjo e shtyu Erdogan-in të thoshte se nuk e njeh më ekzistencën e kryeministrit grek.
Që prej asaj periudhe, udhëheqësi turk është përfshirë në disa nga retorikat më të ashpra ndaj Athinës të dëgjuar ndonjëherë, sipas analistëve.
Presidenti turk, i cili po përballet me votuesit nacionalistë në prag të zgjedhjeve sfiduese të vitit të ardhshëm, paralajmëroi Greqinë në fillim të këtij muaji se “mund të vijmë papritur një natë”.
Ai tha gjithashtu se ishujt e Egjeut që iu dhanë Greqisë nga traktatet ndërkombëtare më shumë se një shekull më parë po “pushtoheshin”.
Kjo gjuhë ka shkaktuar alarm të thellë në Greqi.
Athina i ka bërë vazhdimisht presion BE-së, OKB-së dhe NATO-s që të dënojnë qëndrimin e Erdoganit dhe ka dërguar letra duke informuar partnerët e saj për deklaratat “të paprovokuara dhe haptazi kërcënuese” të bëra nga Erdogan.
Këtë javë, Komisioni Evropian tha se kërcënimet turke ishin “të papranueshme” dhe “BE përsëriti pritjen e saj nga Turqia që të punonte seriozisht për uljen e tensionit” – një deklaratë që u mirëprit nga Athina.
Mitsotakis përdori fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork javën e kaluar për të akuzuar Turqinë për “ndërtimin e një narrative gjithëpërfshirëse të pretendimeve të rreme në Egje” që nga mesi i viteve 1990 dhe për ndjekjen e një “agjende revizioniste gjithnjë e më agresive” ndaj Greqisë.
Zyrtarët turq, nga ana e tyre, janë alarmuar nga rritja e bashkëpunimit të mbrojtjes dhe sigurisë midis Greqisë dhe SHBA-ve në vitet e fundit.
Ky është pjesërisht produkt i marrëdhënieve të tensionuara të Turqisë me Washington-in pas vendimit të Erdoganit për të blerë një sistem ajror rus S-400.
Greqia i dha SHBA-ve akses në disa baza ushtarake dhe përditësoi bashkëpunimin e tyre të ndërsjellë të mbrojtjes në vitin 2021.
Ajo gjithashtu nënshkroi një pakt mbrojtës me Francën në të njëjtin vit, duke bërë që Ankaraja të akuzonte Paris-in për ndërtimin e “një aleance ushtarake dypalëshe kundër Turqisë”.
Në të njëjtën kohë, zyrtarët turq kanë akuzuar Greqinë për armatosjen e ishujve të Egjeut, të cilët, sipas ligjit ndërkombëtar, duhet të çmilitarizohen.
Këtë javë, media shtetërore turke publikoi imazhe që ata thanë se tregonin dërgimin e disa dhjetëra automjeteve të prodhuara nga SHBA-të në ishujt Samos dhe Lesbos.
Një burim i qeverisë greke tha se akuzat “janë pjesë e propagandës turke, e cila po shtrembëron realitetin duke e paraqitur Greqinë si agresore”.