Reshjet e dëborës në Shkodër/ Policia apel drejtuesve të automjeteve: Përdorni goma dimërore ose zinxhirë

Këtë të premte vendi ynë, është mbërthyer nga i ftohti dhe reshje shiu dhe dëbore, Temperaturat e ulëta kanë përfshirë Veriun e vendit.

Në Qarkun Shkodër, akset rrugore në Qafë Thorë, Vermosh dhe Theth janë zbardhur nga dëbora, ndërsa strukturat përgjegjëse kanë dalë në terren për monitorimin e situatës dhe garantimin e qarkullimit normal.

Prefekti i Qarkut Shkodër njofton opinionin publik se, sipas të dhënave të siguruara nga strukturat operacionale në terren, në territorin e qarkut kanë nisur reshjet e dëborës, kryesisht në zonat malore, ndërsa në zonat e ulëta vijojnë reshjet e shiut.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër njofton se në akset rrugore me prezencë dëbore dhe ngricash është shtuar patrullimi nga shërbimet e Policisë Rrugore.

Policia apelon drejtuesit e automjeteve të përdorin goma dimërore ose zinxhirë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Bashkia Shkodër raporton se reshjet e shiut vazhdojnë në territorin e qytetit, ndërsa në zonat malore ka reshje dëbore.

Në aksin Bogë–Theth, mjetet e firmës mirëmbajtëse po kryejnë hedhjen e kripës, megjithëse disa segmente të rrugës paraqiten me ngrica.

Në Qafë Thore trashësia e dëborës arrin rreth 15 cm, ndërsa qarkullimi vijon normalisht.

Bashkia Malësi e Madhe njofton se në qytetin e Koplikut trashësia e dëborës arrin rreth 3 cm.

Bashkia Fushë-Arrëz raporton reshje dëbore me intensitet të ulët dhe trashësi 5–8 cm, me rrugë të hapura dhe qarkullim normal.
Bashkia Pukë njofton reshje dëbore të lehta, me trashësi rreth 5 cm, pa situata problematike aktualisht.

Drejtoria Rajonale e Vëzhgimit Shkodër bëri me dije se në akset rrugore që mbulon nuk paraqiten probleme në qarkullim.

Prefekti i Qarkut Shkodër, ndjek situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe i bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat malore, dhe të ndjekin njoftimet zyrtare të institucioneve përgjegjëse.


Shtuar 2.01.2026 12:03