Parlamenti i Bullgarisë ka rrëzuar pasditen e së mërkurës qeverinë e kryeministrit Kiril Petkov, gjë e cila vjen një ditë para mbajtjes së samitit mes liderve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku pritej të merrej një vendim për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Por mesa duket lëvizjet e fundit në politikën shqiptare kthejnë gjithçka përmbys.
Ish-ambasadori shqiptar në SHBA dhe njohës mjaft i mirë i diplomacisë dhe politikës së jashtme, Agim Nesho, i kontaktuar nga Abcnews.al, është pyetur se sa ndikim do të ketë kjo lëvizje politike në Bullgari, në samitin e ditës së nesërme në Bruksel, ai tha se ky është një lajm shumë i keq për vendin tonë.
Sipas tij nuk do të ketë asnjë vendim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi në Bruksel do të duheshin përfaqësues zyrtarë të qeverisë bullgare, por në rastin konkret deri në krijimin e qeverisë së re do të kemi një qeveri kujdestare, e cila nuk ka kompetenca vendimmarrjeje në politikën e jashtme.
“Ky lajm mund të vërë në dyshim dakordësinë që qeveria dhe opozita kishin rënë dakord që të votonin në parlament ditën e sotme heqjen e vetos për Maqedoninë e Veriut, pasi edhe Borisov në këtë kuadër ka rënë dakord pas presionit Europian, por në këtë moment ka rënë qeveria dhe nuk ka vendimmarrje. Dy janë zgjidhjet ose të krijohet një qeveri nga minoranca, ose të kemi një qeveri kujdestare, por në këtë moment nuk ka vendimmarrje”, deklaroi Nesho.
I pyetur rreth deklaratave të bëra mëngjesin e sotëm nga Komisioneri për Zgjerim në BE, Oliver Varlehy, i cili dha lajmin e mirë se kishin arritur në dakordësi me opozitën bullgare e cila kishte premtuar se do të hiqte veton për Maqedoninë e Veriut, Nesho tha se kjo tashmë mbetet një premtoi për të ardhmen, duke riktheksuar edhe njëherë se në samitin e datës 23 dhe 24 qershor nuk do të ketë proces.
“Do të jetë një proces që nuk do të ketë vendim për këtë rast. Duhet të jetë një akt zyrtar. Tani nuk ka qeveri, pasi do të kemi qeveri kujdestare. Borisovi si opozitë e ka premtuar, por kjo ngelet për të ardhmen”, u shpreh Nesho./abcnews.al