Rënia e popullsisë, sirenë alarmi për shuarjen e Shqipërisë

Rënia e popullsisë me rreth 420 mijë persona në dekadën e fundit, duke zbritur në 2.4 milionë banorë, sipas rezultateve të Censit 2023, u duk sikur nuk kapi askënd në befasi, ndoshta edhe sepse shifrën e prisnin edhe më të ulët.

Dhe ka jo pak zëra që shprehen skeptikë edhe për këtë shifër.

Por edhe e dhëna zyrtare, që i afrohet rënies prej gati 20% kundrejt popullsisë së mbetur vetëm në një 10-vjeçar, është mjaft dramatike dhe një sinjal i fortë alarmi për ritmin e shuarjes së vendit.

Në fakt, një rënie e tillë kishte kohë që po paralajmërohej.

Të gjitha të dhënat e viteve të fundit tregonin që popullsia po tkurrej me shpejtësi, e ndikuar kryesisht nga ringjallja e valës së emigracionit, krahas ndryshimit normal të stilit të jetesës dhe plakjes graduale të popullsisë, që e çoi shtesën natyrore në vend afër zeros.

Që nga viti 2015, kërkesat për azil filluan të rriteshin sërish. Pasi kulmuan në rreth 62 mijë në 2016, për të zbritur në vijim (po jo më pak se 20 mijë në vit, përveç pandemisë), kulmuan sërish në 2022, me më shumë se 30 mijë aplikime, teksa Mbretëria e Bashkuar u bë një destinacion i shpeshtë veçanërisht i emigracionit ilegal, duke alarmuar dhe qeverinë britanike.

Të dhënat e tjera nga Eurostat për lejet e qëndrimit për shtetasit shqiptarë tregojnë se numri i tyre arriti në 73 mijë në viti 2023, niveli më i lartë që nga 2010-a, i cili reflektonte ndikimin e valës së dytë të emigracionit të fund viteve ‘90.

Në tregun e brendshëm, sinjali u dha që para pandemisë. Për herë të parë, shqetësimi kryesor i bizneseve u bë mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Vala e tretë e emigracionit tashmë po përfshinte të arsimuar, familje me të ardhura të larta, që nuk largoheshin vetëm për arsye ekonomike, por për mungesë perspektive.

Më e ndjeshme ishte ikja e të rinjve. Mbi 70% e kërkesave nga azilkërkuesit kryesoheshin nga persona nën 29 vjeç, apo dhe të mitur.

Pas pandemisë, ritmet e ikjes u përshpejtuan ndjeshëm, duke kulmuar në 2022 dhe 2023.

Efekti nga emigrimi ishte aq i dukshëm, sa bizneset raportuan tkurrje të ndjeshme të konsumit të mallrave bazë, që nga buka, sheqeri, produktet e përpunuara të mishit, që ishin kryesisht baza e ushqimeve të të rinjve.

Ikja e tyre krijoi ngërç të vërtetë në tregun e punës, duke detyruar bizneset, sidomos ato të turizmit, të rrisnin disa paga, si për punonjës të shërbimit sanitar, deri në një mijë euro në muaj.

Të gjitha këto sinjale nuk ishin të mjaftueshme që qeveria ta merrte seriozisht emigracionin dhe të merrte masa për të krijuar një ambient më të qëndrueshëm dhe tërheqës në vend, për ta frenuar atë.

Kryeministri do të deklaronte se ikja është normale dhe ndodh në çdo vend të botës, pavarësisht se Shqipëria ishte e dyta në botë për kërkesat për azil në raport me popullsinë, duke u krahasuar me popullsinë e vendeve në luftë.

Edhe sot, kur rënia u vërtetua zyrtarisht, çuditërisht nuk kemi asnjë reagim të qeverisë.

Ndoshta për momentin mund të jetë dhe e kënaqur, sepse disa tregues si të ardhurat për frymë, apo papunësia do të rregullohen me një të rënë të lapsit, për shkak se zvogëlohet emëruesi.

Për pasojat, që po ndihen përditë me dëme afatmesme, nuk duket se po e vret mendjen njeri.

Të dhënat janë realisht alarmante, për një vend që po kalon një moment të mirë ekonomik, të nxitur nga bumi turistik dhe gjallërimi i konsumit nga turistët e huaj.

Grupmosha 15-29-vjeçare është përgjysmuar në dekadën e fundit, duke paralajmëruar se kriza e fuqisë punëtore do të thellohet më tej.

Bizneset po detyrohen të rrisin pagat, pa shtuar produktivitetin, duke ndikuar negativisht jo vetëm në planet e tyre afatgjata për investime, por edhe perspektivën ekonomike.

Marrja e punonjësve të huaj, që ka qenë një zgjidhje për vendet e zhvilluara të Europës, nuk duket se po funksionon për Shqipërinë.

Shtimi i peshës së të moshuarve mund ta gjejë vendin të papërgatitur, jo vetëm për të përballuar skemën e pensioneve, por edhe për t’i shërbyer një brezi që po dominon (Popullsia në moshë pensioni 65+ arriti në 473 mijë persona sipas Censit 2023 me rritje 49% nga Censi 2011).

Përmbysja e piramidës së popullsisë që shfaq Censi 2023 është sfida më e madhe për vendin, për të cilën duhet të jemi të përgatitur dhe të marrim masa sa më shpejt.

Ndalimi i ikjes së shqiptarëve dhe politikat për rikthimin e të ikurve janë çështjet më emergjente.

Situata i ngjan një organizmi human, që nuk i shteret hemorragjia dhe për të shpëtuar jetën kërkohen ndërhyrje të shpejta dhe efektive nga politikëbërësit.

Mbi të gjitha kërkohet rikthimi i shpresës së shqiptarëve, por kjo me sa duket kërkon angazhim shumë më të lartë se thjesht termi Rilindje i fasadës qeverisëse, që siç duket nuk rezultoi i mjaftueshëm.


Shtuar 6.07.2024 08:28