Rënia e industrisë së qumështit, tregu po zëvendësohet nga importet

Sasia e qumështit të prodhuar në vend nuk po e plotëson kërkesën e fabrikave përpunuese për prodhim të produkteve të bulmetit.

Kërkesa e lartë për shkak të mungesës së stokut të operatorëve dhe ofertës së ulët ka shtuar presionin për rritje të çmimit të qumështit të freskët të prodhuar nga fermerët.

Operatorët pohojnë se me nisjen e sezonit të pranverës qumështi i deles po shitet nga blegtorët me çmim mbi 160 lekë për litër, duke arritur deri në nivelin e 190 lekë për litër. Shqetësuese për sektorin është edhe marrja e lartë e sasive të qumështit nga baxhot informale.

Mosplotësimi i kërkesës nga prodhimi vendas ka detyruar kompanitë të importojnë qumështin. Për muajt janar shkurt 2023 importet u rritën 9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar sipas të dhënave të Doganave. Tendenca rritëse e importeve nisi që në vitin 2022. Totali i importeve të 2022 u rrit rreth 2% më shumë se 2021.

Kompanitë përpunuese ngrenë shqetësimin e shtrenjtimit të qumështit të deles, por edhe të lopës në nivele shumë herë më të larta se shtetet e tjera. Aktualisht sipas të dhënave të kompanive çmimi i qumështit të lopës për shtet si Itali, Francë dhe Gjermani është ulur nga 68 cent për litër në 58 cent për litër (58,6 lekë për litër), ndërsa çmimi mesatar i shitjes së qumështit të lopës nga fermeri vendas është 75 lekë për litër.

“Kërkesa për qumësht është e lartë, pasi të gjithë përpunuesit janë bosh, nuk kanë stok të magazinuar. Kjo ka sjellë që qumështi i deles të shitet mbi nivelin e 160 lekë për litër pa TVSh , duke arritur edhe deri në 190 lekë për litër pa TVSH. Stabilizimi i prodhimit të qumështit të lopës shfaqet i ngadaltë, por vijon presioni për rritje të çmimit, kur në shumë shtete çmimi është ulur. Kjo situatë na detyron të dalim në import. Jo sepse jashtë çmimi i qumështit është më i lirë, pasi tarifat e lartë të transportit e shtrenjtojnë shumë çmimin, por nuk ka prodhim vendi”, pohoi për Monitor një nga kompanitë përpunuese.

Për muajt janar-shkurt 46% të importeve të qumështit kryesohen nga Italia, 30% nga Serbia, 10% nga Kosova dhe pjesa e mbetur nga shtete të tjera.

Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit pohon se aktualisht nuk ka rënie prodhimi, sepse çmimi është shumë i favorshëm për blegtorët, por sasia e prodhuar ende nuk plotëson kërkesën që ka sektori përpunimit.

Shqetësuese mbetet edhe informaliteti i lartë i sektorit. Një nga kompanitë nënvizoi se pranë fabrikës përpunuese në lumin e Vlorës numërohen rreth 25 baxho që operojnë në informalitet, pra që nuk paguajnë TVSH dhe të tjera detyrime, duke i konkurruar në mënyrë të padrejtë. “25 subjektet marrin mesatarisht nga 10 kv qumësht në ditë. Ka edhe nga ato baxho që përpunojnë edhe 30 kv qumësht në ditë. Në total llogariten 250 kv qumësht në ditë që shkon te përpunuesit informal. Fabrikës sonë i mbeten vetëm 10 kv qumësht në ditë. Kjo po dëmton përpunuesit e rregullt, madje duke rrezikuar daljen e tyre nga tregu”.

Për formalizimin e tregut dhe rritjen e prodhimit vendas kompanitë rekomandojnë si zgjidhje vetëm ndryshimin e skemës së subvencionimit të qumështit, duke zbatuar subvencionim për litër që fermeri të detyrohet të lëshojë/kërkojë faturë dhe të gjithë do të formalizohen.

Ndërkohë skema kombëtare e bujqësisë për vitin 2023 do të vijojë të mbështesë fermat me subvencione për krerë, jo për sasinë e qumështit të prodhuar, një kërkese e vazhdueshme e industrisë. /monitor

Burimi: Doganat
Burimi: Doganat


Shtuar 6.03.2023 07:16