Rënia e euros ose mallkimi shqiptar

Nga Gjergj Buxhuku

Përse është mallkim dhe jo krenari do të ishte pyetja e ligjshme për titullin? Monedha e ekonomisë së Shqipërisë ka rrëzuar monedhën e fuqisë së parë ekonomike të botës, Bashkimin Europian. Dhe të mendosh që ndodh pikërisht ndaj BE-së ku janë larguar dhe jetojnë për mbijetesë 1/ 3 e shqiptarëve, ku importet europiane tejkalojnë ende me 2,3 herë eksportet shqiptare. Euro është rrënuar me afër 9% ndaj Lekut në 2022-23. Fakti është i qartë dhe i prekshëm. Por, shpjegimi i faktit nxjerr të pavlera teoritë ekonomike, të paafta ta shpjegojnë me ligjësi normale të një shteti minimalisht demokratik.

Mrekullia ekonomike shqiptare. E drejtë! Në këtë kuptim edhe si krenari mund të lexohet për politikën, grupime antitreg dhe individë me ngarkesa kriminale. Por, mjerisht jo për interesin publik dhe shtetin demokratik. Pas pak vitesh vërtet do të habitemi edhe ne vetë, se si është e mundur, që shteti arriti deri në atë pikë, që bën të mundur të ndodhin çudi të tilla. Të ngjashme vetëm me lejimin e piramidave shkatërruese të ‘97. Politika vendimmarrëse përsërit me krenari gabimet tragjike edhe pas 25 vitesh!

Ndërkohë, për qytetarët është vetëm një shenjë, që ndjell mallkim pa ditur qartë askush, se kur, si dhe ku mund të ndalet. Njëjtë edhe për bizneset e ndershme. Djalli ka dalë nga shishja dhe ne nuk e dimë sesi dhe kur mund të rifutet. Është përtej mundësive tona të brendshme.

Por, si shpjegohet, përse ka ndodhur dhe çfarë pasojash sjell fuqizimi i panatyrshëm ligjërisht i Lek-ut?

Shpjegimi se përse ka ndodhur është i thjeshtë. Nuk ka nevojë të zgjatemi. Janë rrymat valutore të paligjshme, që kanë vërshuar në ekonominë dhe jetën e përditshme të shqiptarëve. Rrymat e valutave informale, që vërshojnë lumë shndërrohen në kulla gjigande, resorte, lokale dhe biznese monopol, që shkatërrojnë konkurrencën dhe paradoksalisht marrin edhe pjesën të mëdha deri edhe në financimet publike. Gjithçka kthehet në një rreth të mbyllur, që nxit edhe më shume flukset e paligjshme, për ta kthyer Shqipërinë në një parajsë fiskale “de facto” në mes të Europës. Fuqizimi i Lek-ut dhe shkatërrimi i valutave tregon, se të hyrat e paligjshme janë karburant shumë i rëndësishëm, që vë në lëvizje motorin ekonomik të vendit. Karburant që shkatërron jo vetëm ekonominë, por kap politikën, median, drejtësinë dhe mbyt në lindje demokracinë. Shqipëria shënjestrohet si “gropa e zezë” e pastrimit të parave në kontinent.

Për pasojat le të gjykojë. Në harkun e vitit të fundit, monedha e BE-së është zhvleftësuar me mbi 9% ndaj monedhës shqiptare. Në të njëjtën kohë, inflacioni zyrtar i disa prej prodhimeve ushqimore kryesore të shportës të matur në prill 2023 është të paktën në 15-17%. Më e lartë, se mesatarja e ngjashme e BE. Kjo do të thotë, se edhe në afatshkurtër nga rënia e euros ndaj lekut, qytetari i thjeshtë nuk ka ndjerë asnjë përfitim kosto jetese, asnjë mbrojtje. Përkundrazi. Për pak më gjatë jo sot, por shumë më përpara edhe se dje.

Por pasojat nuk mjaftojnë me kaq. Më e rrezikshmja në ekonomi është shkatërrimi i konkurrencës së bizneseve dhe varësia gjithmonë e më e madhe e gjithë ekonomisë nga burimet informale. Të ngjashëm mund të jenë vetëm më vende të tilla si varësia e Venezuelës vetëm nga nafta, shtetet e Amerikës Qendrore nga bananet dhe sheqeri. Por, edhe më keq sesa ata. Sepse, ata mirë apo keq kishin një prodhim real, qoftë edhe të vetëm. Ndërkohë, industria e të ardhurave të paligjshme shqiptare nuk është plotësisht në dorën e politikës shqiptare.

Të mendojmë për një çast që shtetet ku rrymat e parave të paligjshme prodhohen, të ndërhyjnë për ta ndaluar krejtësisht. Siç po duken edhe shenjat në fakt. Leku i mbiçmuar do të rrënohej shumë shpejt. Kompanitë e mëdha monopol do të binin të parat. Kullat dhe resortet do mbeteshin skelete. Inflacioni do të kapte qiellin. Sistemi bankar do të rrezikohej qartësisht. Buxheti do të varfërohej menjëherë. Industri dhe prodhim vendor nuk do të kishte. Pasojat, deri në paqëndrueshmëri sociale dhe kushtetuese merren me mend ‘97 nuk është thjesht ëndërr.

Për hir të së vërtetës, mendoj se mëkati më i madh i politikës shqiptare në gjithë këto vite nuk është lejimi i të hyrave të joformale më vend. Bota, përfshi edhe predikuesit e huaj të demokracisë, është e egër dhe jo e përsosur. Aq më shume për rastin e mbijetesës shqiptare pas komuniste. Mëkati më i madh yni është shpërdorimi masiv, makutëria, korrupsioni dhe paaftësia e përdorimit si duhet e të hyrave të të gjitha llojeve gjatë gjithë këtyre viteve. Shkatërrimi i prodhimit vendor, i industrive, infrastruktura e dobët e kanë lënë vendin krejtësisht dhe gjithmonë e më shumë në mbijetesën e përditshme nga burimet e paligjshme. Shqipëria sot është vend në të cilin jo vetëm nuk penalizohet financiarisht askush për ‘pastrimin’ e parave informale, por ato edhe shumëfishohen duke përdorur buxhetin publik, koncesionet dhe PPP e përdorimit të burimeve natyrore të vendit! Kapitali informal dhe zotëruesit e tij kanë kapur shtetin. Sot është shumë e vështirë të bësh dallimin, se ku fillon dhe mbaron sistemi politike, monopolet, nëntoka dhe kapitali i paligjshëm.

Ndërkohë, mbretërimit të lekut rrezikon t’i vijë fundi më shpejt sesa mendojmë ne dhe shpresojnë, pjesët e sistemit. Partnerët po japin qartësisht shenja se do të ndërhyjnë. Ndalimi i nismës së fundit të amnistisë fiskale, vendosja pa lëkundje e Shqipërisë në listën gri të pastrimit të parave nga BE, këmbëngulja e partnerëve për reformën në drejtësi, politika e ‘non gradave’ etj., për ata që duan dhe dinë të lexojnë, paralajmëron fillimin e fundit edhe të mbretërimit të lekut. Dhe bashkë me fundin e mbretërimit të lekut nuk dihet sesi dhe sa mund të jenë të rënda pasojat për sistemin ekonomik, shoqëror dhe politik. Koha rrjedh kundër për keq. Rrënimi i sotëm i euros nga leku rrezikon të kthehet mallkimi shqiptar nesër.

Nuk duhet të bëjmë strucin e ‘97, se paratë e piramidave janë si të pafundme si uji i detit.


Shtuar 13.05.2023 09:26