RENEA zbarkon në Shkodër, harron bandat dhe dhunon gazetarin e njohur në sy të fëmijëve

Teksa duhej të ndalonin persona të rrezikshëm e banditë që lëvizin e bëjnë “ligjin” në Shkodër, RENEA, ka harruar sonte misionin e saj dhe të gjithë “forcën” e ka treguar ndaj gazetarit të ABC, Simon Shkreli i cili ndodhej në krye të detyrës e po filmonte aksionin. Në sy të familjes së tij dhe fëmijëve, trupat e RENEA-s kanë dhunuar korrespondentin e ABC në Shkodër edhe pse ky i fundit u ka treguar atyre “badgen” e gazetarit dhe se ishte në punë. Gjithçka ka nisur se pse gazetari po filmon aksionin në Shkodër.

“Jam gazetar, jam në punë, ja ku e kam “badgen””. Këto fjalë nuk kanë mjaftuar për “trup mëdhenjtë” e RENEA-s të cilët duke dhunuar gazetarin i kanë marrë edhe “badgen” identifikues si punonjës në media. Si për ironi të fatit kjo situatë është parë edhe nga Drejtori i Policisë së Shkodrës Hamdi Fjora dhe shefi i Komisariatit Paulin Çupi. Këta dy të fundit kanë pasur një komunikim të shkurtër me gazetarin dhe e kanë njohur, por pavarësisht kësaj trupat e RENEA-s nuk kanë nguruar të ushtrojnë dhunë ndaj tij, sapo ai ka shkëmbyer disa fjalë me drejtuesit e policisë në Shkodër.

Kujtojmë se Shkodra është një nga qytetet më problematike për sa i përket bandave dhe kontrollit të tyre në qytet. Shpesh herë janë raportuar ngjarje kriminale “nën hundën” e policisë, por pavarëisht këtyre edhe në një aksion që duhej të ishte kundër bandave, RENEA-n e bezdis më shumë fakti që një gazetar po filmon aksionin e tyre.

Rrëfimi i gazetarit Simon Shkreli:

“Po kthehesha në shtëpi dhe po filmoja. Forcat RENEA kishin aksion tek ish kryqëzimi që të çon në Shkodër. Në prezencë edhe të Drejtorit të qarkut dhe Shefit të Komisariatit të Shkodrës, Hamdi Fjora  dhe Paulin Çupi. Në prezencën e tyre, nxora celularin dhe po filmoja. Ata mu vërsulën dhe më thanë mos filmo. Unë nxora badgen e gazetarit dhe u thash që jam gazetar jam në punën time. Ndërkohë më thërret drejtori dhe shefi i Komisariatit dhe më thonë që ata nuk të njohin. Si të njohim ne. Dakord u thash unë dhe kam badgen dhe nuk ka nevojë të më njohin. Një nga ata më thirri në emër dhe me tha largohu. Unë nuk e njihja. Thash që mos bërtisni se unë jam në punë ti në punë. Më pas erdhën dhe njëri më kapi nga krahu tjetri më kapi nga xhupi dhe më thonë ik se je me familje je me fëmijë se do të kallëzonim ne, personat me kapuça. Kur më kapi më hoqi edhe badgen nuk e di ku e kam. Asnjë ndjesë. Ikën të gjithë edhe drejtori edhe shefi i komisariatit.”

Në qarqet më të mëdha në orët e fundit po organizohen kontrolle nga RENEA. Kryesisht në Vlorë, Elbasan dhe Shkodër. Ky aksion vjen pas urdhrit të dhënë nga Gledis Nano, i iniciuar pas masakrës së ndodhur në “Don Bosko” ku u vra një person dhe u plagosën 4 të tjerë./abcnews.al/ 

 


Shtuar 6.01.2022 20:44