Arbjan Mazniku, kryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, prezantoi në Komisionin e Ligjeve qëndrimin e Partisë Socialiste për ndarjen e re administrative. Ai tha se propozimi është hartuar mbi kritere teknike, të dhëna konkrete dhe analizat e ekspertëve të angazhuar nga Kuvendi.
Sipas Maznikut, bashkitë që do të krijohen do të kenë kapacitete dukshëm më të mëdha për të përmbushur funksionet e tyre.
Të lidhura
None found
Ai shpjegoi se baza e reformës është raporti i përgatitur nga ekspertët e miratuar nga Kuvendi, ndërsa opozita nuk ka paraqitur një raport të sajin. Dokumenti, sipas tij, përmban kritere, fakte, shifra dhe analiza, mbi të cilat janë shqyrtuar edhe propozimet e ardhura nga bashkitë dhe banorët.
Mazniku nënvizoi se ndarja administrative dhe territoriale është kompetencë e Kuvendit. Ai shtoi se gjatë procesit janë marrë në konsideratë qëndrimet e banorëve, këshillave bashkiakë dhe kryetarëve të bashkive, brenda afateve të përcaktuara nga ligji. Një pjesë e sugjerimeve, tha ai, është përfshirë në propozimin përfundimtar.
Duke folur për bashkimet e propozuara, ai deklaroi se shumica e territoreve që do të bëhen pjesë e bashkive të përbashkëta e kanë mbështetur këtë ndryshim.
Përfaqësimi i banorëve ishte një tjetër çështje e ngritur prej tij. Mazniku tha se, në përputhje edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, Kushtetuta garanton të drejtën e qytetarëve për të marrë vendime brenda territorit të bashkisë ku bëjnë pjesë. Sipas tij, propozimi parashikon gjithashtu një mekanizëm për përfaqësim proporcional në këshillat bashkiakë përmes qyteteve.
“Nuk është evidentuar asnjë shërbim që largohet nga qytetarët”, deklaroi Mazniku, duke shtuar se modeli i qyteteve e rrit numrin në 71 dhe, në shumë raste, e afron administratën me banorët. Ai përsëriti se bashkitë e reja do të kenë më shumë mundësi për të ushtruar përgjegjësitë e tyre.
