Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me diskutimet për ndryshimin e hartës territoriale dhe shkrirjen e 15 bashkive në vend.
Bardhi ka kritikuar deputetët socialistë, veçanërisht ata që përfaqësojnë zonat e prekura nga reforma, duke u bërë thirrje të mbajnë qëndrim dhe të dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve.
Të lidhura
None found
Bardhi e cilësoi çështjen si një test për përfaqësimin politik dhe përgjegjësinë e deputetëve, duke theksuar se qytetarët presin prej përfaqësuesve të tyre të shprehen dhe të mbajnë qëndrim për vendime që prekin drejtpërdrejt zonat e tyre.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Për të kuptuar se sa dhe kë përfaqëson Grupi Parlamentar i PS-së, mjafton të shohësh se çfarë po ndodh sot në mbledhjen e grupit të tyre parlamentar.
Diskutohet shkrirja e 15 bashkive dhe, sipas raportimeve në media, kundërshtim publik ndaj kësaj nisme kanë shprehur vetëm dy deputetë. Mbetet për t’u parë nëse ky kundërshtim do të qëndrojë edhe në momentin e votimit në seancë plenare.
Divjaka, Patosi, Rrogozhina, Maliqi, Dimali, Cërriku, Përrenjasi, Belshi, Klosi, Poliçani, Memaliaj, Fushë-Arrëzi, Këlcyra dhe Libohova janë në tryezën e kësaj reforme për t’u shkrirë. Por nga deputetët e PS-së që kanë marrë mandatin për të përfaqësuar qytetarët e këtyre bashkive, heshtja është ajo që bie më shumë në sy.
Ku është zëri i tyre? Ku është përgjegjësia ndaj qytetarëve që i kanë votuar? Ku është detyrimi për të mbrojtur interesin e komuniteteve që përfaqësojnë?
Në vend që të dëgjojmë zërin e qytetarëve në Kuvend, rrezikojmë të shohim deputetë që kthehen në zëdhënës të vendimeve politike të Edi Ramës.
Nëse një deputet hesht kur vendoset për fatin e bashkisë që ai ose ajo pretendon se përfaqëson, atëherë qytetarët kanë të drejtë të pyesin: kë përfaqëson realisht ky deputet?
Mandati parlamentar nuk është pronë e partisë. Është mandat i qytetarëve.
Dhe qytetarët meritojnë deputetë që flasin, kundërshtojnë dhe mbajnë përgjegjësi, jo deputetë që heshtin kur vendimet prekin drejtpërdrejt komunitetet që i kanë zgjedhur.
Kjo është çështje përfaqësimi. Kjo është çështje përgjegjësie. Dhe përballë qytetarëve, heshtja nuk mund të fshihet pas disiplinës partiake.
