Reforma në Drejtësi, Çela: Stoku i çështjeve në disa Prokurori po rritet, duhet digjitalizim i dosjeve

I pranishëm në tryezën “5 vjet Reforma në Drejtësi” është edhe kryeprokuroi Olsian Cela. Gjatë fjalës së tij, Çela tha se në disa Prokurori të vendit situata është e rënduar dhe se po rritet stoku i çështjeve, për shkak të Vettingut dhe disa avrive të tjera

Ai sugjeroi që të implementohet dosja elektronike, e cila sipas tij, rrit eficencën dhe ul kostot.

“Është një moment i rëndësishëm ndërtimi i kësaj strategjie. Në fakt unë do të vlerësoja qasjen e treguar nga Ministria e Drejtësisë, në mënyrë që është formuluar ajo. Mendoj që u tregua qasje e duhur, misioni i duhur. Kjo vlen shumë dhe në kontekstin e realitetit të ri. Në këto kushte do të vlerësoja shumë dhe realizimin, që pasqyron vetë strategjia. Ajo merr në konsideratë vakancat e krijuara si dhe merr hapa për të rritur eficencën e sistemit të drejtësisë. Do të doja të vlerësoja disa çështje që meritojnë vëmendje.

Do ta nisja nga harta gjyqësore, nevoja e saj është emergjente. Situata disa nga Prokurorive të vendit është e rënduar, ne parashikojmë që në vjeshtë situata do të përkeqësohet më tej. Stoku i dosjeve do të bëhet i papërballueshëm në kushtet e vonesës së strukturave të prokurorisë. Ky nuk është i vetmi hap, kërkohet masa të tjera. Do të doja ndryshimin e ligjit për magjistraturë, shtimin e viteve të studimeve të saj. Unë them që viti i tretë i magjistraturës të jetë vit pune, ashtu siç ka qenë më parë. Do të ishte një rifreskim i shtuar për sistemin.

Një çështje tjetër që e vlerësoj të rëndësishme, ka të bëjë me çështjet që lidhen me rritjen e eficencës. Ka nevojë për rikuilibrim të eficencave. Garantimi i pavarësisë së prokurorëve duhej shoqëruar dhe me një llogaridhënie të performancës, gjë që mungon. Mungon matja e performancës. Mendoj që sot sistemi aktual, përtej zgjedhjeve të rëndësishme ka nevojë për përmirësime. Rritja e eficencës është sfida jonë.

Ne duhet të shohim drejt së ardhmes, e cila është dixhitalizimi. Duhet të ecim shpejt. Duhet të dimë se kur do të jemi pas 10 vitesh. Ne duhet të shkojmë drejt dosjes elektronike, ajo duhet të jetë synimi ynë. Ajo do të rrisë eficencën, do të ulë kostot, burimet njerëzore, do të rrisë kontributin tonë dhe në nivel ndërkombëtar në goditjen e krimit.

Vlerësoj largpamësinë që është ndërtuar strategjia që ka marrë parasysh këto vizione që ne kemi dhe është munduar të integrojë brenda një kuadri më të gjerë komunitetesh”, tha Çela./albeu.com