Real Madrid “pushton” Camp Nou, galaktikët poker ndaj Barcelonës dhe kalojnë në finale të kupës

Real Madrid ka bërë një ndeshje të “çmendur” mbrëmjen e sotme në “Camp Nou” përballë Barcelonës, duke shënuar plot katër gola, dhe duke kaluar këshu në finalen e madhe të Kupës së mbretit.

Vinicius Junior dhe tre herë Karim Benzema, kanë zhbërë totalisht atë fitore 1-0 të Barcelonës pak javë më parë në “Santiago Bernabeu”.

Sipari i golave u hap që në fundin e pjesës së parë, ku pas një kundërsulmi vrastar, dyshja Benzema-Vinicius Junior dërgojnë topin në rrjetë me golin që mban “emrin” e brazilianit. Më pas gjithçka mbeti në dorën e “bomberit” të “galaktikëve”, me “bomberin” francez, Karim Benzema i cili shënoi tregolëshin e dytë radhazi pas atij ndaj Real Valladolid në ndeshjen e së shtunës.

Një gol fillimisht në minutën e 50’-të pas një kombimi fantasik me Luka Modric, u pasua nga një 11-metërsh i ekzekutuar mrekullisht vetëm 8 minuta më vonë. Ndërsa, tregolëshi u kompletua pas asistit të brazilianit Vinicus Junior duke kompletuar kështu “turpërimin” e “katalanasve” në “shtëpinë” e tyre.

Me këtë fitore, Real Madrid merr hak për 3 humbjet e fundit ndaj Barcelonas dhe e shikon veten në finalen e “Copa del Rey”, ku nuk pritet asgjë më pak se fitorja ku përballë ka një kundërshtar tepër të thjeshtë si Osasuna.


Shtuar 5.04.2023 23:04