Rasti “Monstra”, Kosova refuzon ekstradimin e Afrim Ismailovicit

Republika e Kosovës ka refuzuar ekstradimin në Maqedoninë e Veriut të të akuzuarit në rastin “Monstra”, Afrim Ismailovicin.

Dokumentin për këtë vendim e shpalosi familjari Bedri Ajdari, përmes rrjetit të tij social Facebook.

Ndërsa bashkëngjitur në të shkruan: “A thua përse? Mos vallë pati fer gjykim për të akuzuarit tjerë që gjenden në Shkup, apo pati prova materiale që nuk ishin të sajuara?”.

“Organet e zhytura në Krim të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk kanë ndikim në drejtësinë e pavarur të Republikën e Kosovës e cila është nën monitorimin e EULEX-it”, shkruan Ajdari.

Ndërkohë Gjykata Penale e Shkupit më 23 shkurt të këtij viti ka dënuar me burgim të përjetshëm Alil Demirin, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve, më 12 prill 2012, pranë liqenit të Smillkovës, rreth 12 kilometra nga Shkupi.

Dy të akuzuarit e tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe nëntë vjet burgim. Një person tjetër, Sami Luta është liruar nga akuza në mungesë të provave.


Shtuar 23.04.2021 14:54