Raporti nxënës-mësues, arsimi publik ia kalon privatit

Në këtë vit akademik, për herë të parë, numri i nxënësve për mësues në shkollat publike, është më i ulët se në shkollat private.

Në vitin akademik aktual 2023-2024 në ciklin fillor, një mësues në shkollat publike kishte mesatarisht 15.1 nxënës, ndërsa në sektorin privat, 15.2 nxënës, tregojnë të dhënat e INSTAT.

Në ciklin 9-vjeçar (klasa e 6-9), një mësues në shkollat shtetërore kishte afërsisht 7.9 nxënës, ndërsa në sektorin privat, 8 nxënës.

Në arsimin e mesëm, raportet janë ende në favor të privatit. Një mësues në shkollat publike ka mesatarisht 11.6 nxënës, ndërsa në privat, 9.1 nxënës.

Raporti nxënës për mësues, është përmirësuar ndjeshëm në dekadën e fundit nga rënia e lindjeve, teksa më pas, një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve emigrojnë me prindërit.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se gjatë 2013 – 2023, kishin kërkuar azil në vendet e BE-së mbi 64 mijë persona nën 18 vjeç, norma më e lartë në rang global pas Sirisë, në raport me popullsinë.

Në vitin 2015, një mësues në ciklin 9-vjeçar jepte mësim për mesatarisht 18.3 nxënës, ndërsa në vitin shkollor 2023-2024, një mësues ka mesatarisht 15.1 nxënës.

Pakësimi i nxënësve për mësues, do të duhej të përkthehej në arritje më të mira për mësimet, por kjo nuk ka ndodhur.

Rezultatet e testit PISA 2022 (vlerësimi ndërkombëtar i nxënësve që kryhet nga OECD ku vlerësohen arritjet e nxënësve në matematikë, shkencë dhe lexim tregoi për rënie dramatike të rezultateve.

Në matematikë, ata morën 368 pikë, 69 pikë më pak se në testin e 2018 dhe 21 pikë më pak se më 2012. Në letërsi morën 358 pikë, 47 më pak se më 2018 dhe 35 më pak se më 2012. Edhe në shkenca, rënia ishte e ngjashme.

Një nga arsyet që shumë prindër zgjohen ndër vite arsimin privat, për të shkolluar fëmijët ishin klasat e mbingarkuara në sektorin publik.

Analizat për arritjet mësimore, gjithnjë kanë fajësuar numrin e lartë të nxënësve në klasa për rezultatet e dobëta.

Përvoja po tregon se ulja e numrit të nxënësve në klasa dhe cilësia e arritjeve mësimore, po shkojnë në raport të zhdrejtë, kur e kundërta duhet të ndodhte.

Mësuesit dhe ekspertë të pyetur nga “Monitor”, në një artikull të posaçëm kanë pohuar se dështimi i kurrikulës, përdorimi i teknologjisë pa kriter, pagat e ulëta, rënia e autoritetit të mësuesit, modelet e suksesit të pabazuara në dije janë disa nga arsyet e rënies se rezultateve.

Arsimi ka qenë dhe mbetet baza për prosperitetin e një shoqërie. Shembujt na tregojnë se vendet që janë zhvilluar shumë shpejt (Koreja e Jugut dhe Estonia), kanë kryer një reformë të thellë në arsim, që më pas ka shërbyer për të kaluar ekonominë e vendit në një nivel tjetër.

Kthimi pas i Shqipërisë në arsim paralajmëron rënie në të gjithë sektorët e tjerë, të cilët prej vitesh janë vënë në vështirësi për profesionistë dhe krah pune./Monitor


Shtuar 8.05.2024 07:57