Raporti në Parlamentin Italian/ Modeli Shqipëri-Itali: Izolim dhe kosto pa kontroll migrator. Dështimi i marrëveshjes migratore Shqipëri-Itali, kur politika migratore shndërrohet në plagë sociale

Nëntor 2023-korrik 2025, vetëm 132 emigrantë të transferuar në kampin e Gjadrit, 32 prej të cilëve janë rikthyer në Itali. Protokolli Shqipëri-Itali, shpenzime të mëdha dhe rezultate minimale.

Nga 1400 vendet e premtuara në dy qendrat në Shengjin dhe Gjadër, më pak se 800 janë aktualisht operative. Numri i personave të transferuar nga Italia në Shqipëri është vetëm 132, prej të cilëve 32 janë rikthyer sërish. Kostoja e parashikuar e këtij projekti kap shifrën mbi 800 milionë euro për një periudhë pesëvjeçare, ose rreth 170 milionë euro në vit, pa asnjë efekt të dukshëm mbi kontrollin dhe reduktimin e flukseve migratore drejt Italisë.

Raporti evidenton se izolimi dhe mbajtja në qendrat e Gjadrit nuk janë vetëm një kusht material, por një gjendje sistemike e margjinalizimit që e bën emigrantin të padukshëm, të heshtur dhe pasiv. Ky lloj qëndrimi është më ekstrem se ai në kampet italiane, për shkak të mungesës së transparencës institucionale, mungesës së mundësisë për të ndjekur apo kontrolluar ligjërisht procedurat, dhe mungesës së aksesit të shoqërisë civile dhe mediave.

Një nga momentet e analizuara të raportit është operacioni i rimatrikulimit të detyruar të datës 9 maj 2025. Pesë qytetarë egjiptianë u morën me forcë nga CPR-ja në Gjadër, u transportuan me automjete drejt Tiranës dhe më pas u ngarkuan në një avion charter që i çoi në Kajro, Egjipt. Kjo operacion u krye jashtë çdo juridiksioni gjyqësor dhe në shkelje të hapur të nenit 3 të Direktives 2008/115/CE të Bashkimit Evropian, si dhe në shkelje të protokollit italo-shqiptar, i cili parashikon që të gjitha veprimet të kryhen brenda zonave që janë nën “gjurisdiksion të plotë italian”.

Ky veprim ka ngjallur reagime të forta nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe është edhe objekt i një interpelance në parlamentin italian nga deputetja Rachele Scarpa.

Gjatë 34 ditëve të monitorimit, në raport janë regjistruar 42 ngjarje kritike, përfshirë tentime për vetëvrasje, mbajtje arbitrare, transferime pa dokumente dhe përdorim të forcës me shenja dhune, të cilat kanë dëmtuar rëndë dinjitetin dhe sigurinë e personave të ndaluar.

Në raport kërkohet menjëherë pezullimi i protokollit italo-shqiptar, hapja e një debati publik dhe transparent parlamentar, si dhe rivendosja e të gjitha garancive themelore për personat që preken nga ky model, duke përfshirë mbrojtjen ligjore, të drejtën për trajtim shëndetësor dhe të drejtën për azil.

“Plagë kufinjsh” paraqet një portret të qartë të një politike migracioni që funksionon mbi bazën e propagandës, shpenzimeve të mëdha, shkeljeve të rëndë të të drejtave të njeriut dhe mungesës së transparencës institucionale.

Raporti shpreh shqetësimin se ky model mund të shndërrohet në një standard për Bashkimin Evropian, duke dëmtuar parimet demokratike dhe duke krijuar plagë sociale dhe institucionale shumë të thella.

Kostoja financiare e këtij projekti është jashtëzakonisht e lartë, duke kapur mbi 800 milionë euro për një periudhë pesëvjeçare, që përkthehet në rreth 170 milionë euro në vit, shifër kjo që nuk ka reflektuar një ndikim të dukshëm në kontrollin apo reduktimin e flukseve migratore drejt Italisë. Ky fakt tregon se investimi i madh financiar nuk po përkthehet në rezultate konkrete, duke ngritur pyetje për efektivitetin dhe qëndrueshmërinë e modelit Shqipëri-Itali në politikën migratore.


Shtuar 30.07.2025 16:13