Raporti i SHISH: Sulmet terroriste në Shqipëri nga grupe të vogla janë potencialisht të mundshme

Shërbimi Informativ Shtetëror, sipas një raporti, thotë se në vendin tonë, sulmet terroriste nga grupe të vogla në Shqipëri janë potencialisht të mundshme.

Në raportin thuhet se, në Shqipëri  dhe në rajon nuk ka pasur akte terroriste ndërsa kërcënimi gjatë vitit 2020 ka qenë përgjithësisht i ulët ose i mesëm.

RAPORTI

ROLI I TEORIVE KONSPIRATIVE NË TABLONË E EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM

Situata e shkaktuar nga COVID-19 dhe teoritë konspirative që e shoqëruan atë, luajtën rol edhe në tablonë ekstremiste të dhunshme, të motivuar ideologjikisht, në lulëzim të agjendave populiste e amplifikim të ekstremizmave të tjerë si nacionalist, racor dhe gjinor, të nxitur e mbështetur nga grupime të caktuara, të cilat rritën propagandën për përdorimin e dhunës si mjet për të nxitur ndryshimin që duan të shohin në shoqëri. Propaganda ekstremiste ka ndikuar shpesh në akte dhune ndaj forcave policore, kampeve të refugjatëve, akuza kundër politikave ndaj refugjatëve dhe emigrantëve si shkatërruese të homogjenitetit etnik.

Teoritë e konspiracionit përdoren për këtë synim, edhe për shkak se “janë tërheqëse” për ndjekësit në rrjetet sociale, duke ndikuar në uljen apo dobësimin e perceptimit publik në sistemet demokratike. Lëvizjet populise, por edhe ato civile anti-vaksinë, mund të përdorin situatën për të zgjeruar mbështetësit e tyre dhe për t’u faktorizuar më pas në shoqëri dhe skenën politike, duke çuar përpara agjendat e tyre.

Në vendet perëndimore, situata e COVID-19 u shoqërua me demonstrime të dhunshme ndaj autoriteteve policore e institucioneve shtetërore. Edhe në vendet e rajonit pati thirrje nga elementë e grupime të veçanta për të reflektuar demonstrimet e vendeve evropiane. Nuk përjashtohet manipulimi i mundshëm i tyre nga aktorë jo-perëndimorë për të shkaktuar destabilitet, fenomen i evidentuar në SHBA dhe vendet evropiane.

KËRCËNIMI TERRORIST NË RAJON DHE VENDIN TONË

Kërcënimi terrorist në Ballkanin Perëndimor (BP) dhe vendin tonë, gjatë vitit 2020, ka variuar nga i ulët në të mesëm, varësisht nga situata specifike kërcënuese. Në vend dhe rajon, nuk ka pasur akte terroriste, kurse synimet apo planet e mundshme për të ndërmarrë të tilla janë neutralizuar në faza të hershme nga autoritetet e sigurisë. Sulmet nga aktorët e vetmuar dhe grupe të vogla pa koordinim direkt me organizata terroriste mbeten potencialisht të mundshme.

Gjatë kësaj periudhe, nuk janë evidentuar raste të operativëve terroristë, që të kenë përdorur rrugën e emigracionit të jashtëligjshëm për të hyrë në rajon dhe vendin tonë, ndërkohë që rruga ballkanike vijon të mbetet një linjë e rëndësishme për emigracionin ilegal që shkon drejt Evropës. Nuk është i përjashtuar shfrytëzimi i kësaj rruge nga elementë apo operativë për synime e akte terroriste apo përdorim të vendit dhe rajonit me synim kalimin në vendet e BE-së për aktivitete terroriste.

Situata e familjarëve të luftëtarëve të huaj terroristë nga rajoni dhe vendi ynë në kampet kurde paraqitet e përkeqësuar. Organizata terroriste i braktisi banorët e të ashtuquajturit Shteti Islamik pa të ardhurat bazë për jetesë. Ndërkohë, tani që organizata ka nevojë për kapacitete njerëzore, u bën thirrje grupeve ekstremiste dhe operativëve lokalë të angazhohen në sulme për lirimin të tyre. Organizata synon të përdorë këtë potencial njerëzor për të fuqizuar grupimet terroriste me burime njerëzore. Kampet janë shndërruar në terren të përshtatshëm për aktivitete radikalizuese. Situata e vështirë humanitare në kampet e refugjatëve dhe të paraburgimit lehtëson radikalizimin e fëmijëve dhe familjarëve.

Risku i shfrytëzimit të hapësirave virtuale në rrjetet sociale nga grupe dhe individë me profil radikal e terrorist për të përhapur ideologjitë ekstremiste, si dhe për të rekrutuar persona të tjerë për grupet terroriste, mbetet i lartë për rajonin përgjithësisht, dhe për trojet shqipfolëse në veçanti. Gjuha shqipe zë një vend të konsiderueshëm në hapësirën online për sa u përket materialeve propagandistike. Propaganda në gjuhën shqipe, pavarësisht se ku dhe nga kush prodhohet, është një trafik me audiencë publikun shqipfolës në tërësi.

Individë e grupe të caktuara vijojnë ndjekjen e ligjëratave me përmbajtje ekstremiste e shpërndarje literature në grupe të vogla e kryesisht mes lidhjeve të tyre, si brenda vendit edhe me të tilla në rajon. Shtetasit e dënuar për terrorizëm dhe mbështetës të tyre në sistemin e burgjeve kanë vijuar të mbajnë profil radikal dhe me tendenca radikalizimi të të tjerëve. Futja e tyre nën regjimin “41 bis” ka si qëllim kryesor ndalimin e aktiviteteve radikalizuese, ndërprerjen e vijimit të aktivitetit të krimit të organizuar me orientime e koordinime nga të dënuar nga drejtësia për aktivitete kriminale të rënda jashtë sistemit penitenciar. Edhe pse vendosja nën këtë regjim e kësaj kategorie ka krijuar revolta e reagime në këtë sistem, vlerësohet i rëndësishëm aplikimi i këtij regjimi për kategoritë e përzgjedhura./albeu.com


Shtuar 23.08.2021 21:32

Tags: