Raporti i KE për Shqipërinë, Balluku: Duhet të jemi krenarë më atë që kemi arritur

Zv/kryeministrja Belina Balluku bashkë me ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Europian, Christiane Hohmann po zhvillojnë një konferencë pas publikimit të raportit të KE për Shqipërinë.

Balluku u shpreh se nisja e negociatave me BE-në është fitorja e punës së palodhur të institucioneve, ndërsa tha se duhet të jenë krenarë për atë që kanë arritur.

“Në asnjë moment nuk kemi pasur iluzione të gabuara në rrugën tonë drejt integrimit. Kemi vendosur të punojmë të palodhur në këtë rrugë dhe përballë sprovave. Në 19 korrik Shqipëria nisi negociata teknike me BE. Kjo ishte fitorja e punës së palodhur të institucioneve tona. Raporti i vitit 2022 për Shqipërinë pasqyron njohjen e angazhimit të vazhdueshëm, arritjeve dhe reformave dhe qëndrueshmërisë së Shqipërisë për të ecur drejt rrugës së BE. Shqipëria vazhdon rrugën e negociatave dhe ka vazhduar të ruajë fokusin e përgjithshëm në agjendën e BE. Pavarësisht ngërçeve të fundit, administrate jonë e ka shfrytëzuar këtë periudhë për të përparuar. Shqipëria do të përparojë më shpejt se vendet e tjera të rajonit, kam bindjen. Raporti rendit arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duhet të jemi krenarë për atë që kemi arritur në vitin 2022 pa lënë pas angazhimet tona. kemi të gjithë vullnetin që ta përshkojmë këtë rrugëtim sfidues”, tha Balluku.

 


Shtuar 13.10.2022 11:03