Raporti i DASH: Shqipëria njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë, që përfshinë të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.

Raporti analizon në kapituj të veçantë edhe gjendjen e lirisë së besimit në Shqipëri dhe Kosovë, në të cilët theksohen kryesisht probleme të trashëguara.

Në pjesën për Shqipërinë, raporti sërish nënvizon se kushtetuta garanton lirinë e besimit. Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, thotë se shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare.

Qeveria ka marrëveshje të veçanta me komunitetet fetare dhe ligji përcakton që qeveria do të japë mbështetje financiare për to. Por marrëveshja me Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare (VUSH) sipas ligjit nuk e përcakton në mënyrë të qartë atë që të marrë një mbështetje të tillë, dhe me gjithë raportimin e VUSH-it qeveria nuk ndau fonde.

Raporti vë re se qeveria legalizoi 92 ndërtesa në pronësi të komuniteteve fetare gjatë vitit, krahasuar me 164 në vitin 2019, ndërsa statusi i 32 pronave të tjera mbeti nën shqyrtim.

“Korrupsioni, mungesa e njohurive për kompetencat dhe juridiksionin mbi çështjet e pronës dhe ngarkesat e mëdha në sistemin gjyqësor, penguan komunitetet fetare të kërkojnë pronën e tyre, sipas burimeve të shumta të shoqërisë civile”, thuhet në raport.

Para mbajtjes së forumit për antisemitizmin më 28 tetor, parlamenti njëzëri miratoi përkufizimin e Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit për antisemitizmin.

Udhëheqësit fetarë mbështetën masat parandaluese të qeverisë për shkak të pandemisë së COVID-19, duke anuluar tubimet për dy muaj.

Ambasada amerikane u bëri thirrje zyrtarëve të qeverisë që të përshpejtojnë procesin e zgjidhjes së pretendimeve për pronat dhe t’u kthejnë komuniteteve fetare ndërtesat dhe pronat e tjera të konfiskuara gjatë epokës komuniste. Pandemia e COVID-19 ngadalësoi programet e mbështetura nga ambasada të përqendruara në zhvillimin e gjithëpërfshirjes në komunitet, promovimin e fuqizimit të grave në komunitetet fetare dhe theksimin e pajtueshmërisë së besimit fetar dhe demokracisë. Ambasada vazhdoi punën e saj me komunitetet fetare për të dekurajuar tërheqjen nga ekstremizmi i dhunshëm midis të rinjve. Më 5 nëntor, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nisi një raund tjetër të një projekti të mbështetur nga ambasada për të zhvilluar aftësi të të menduarit kritik mes të rinjve dhe për t’i inkurajuar ata të mendojnë për marrëdhëniet midis demokracisë, shoqërisë dhe besimit.

Qeveria amerikane vlerëson se nga 3.1 milionë sa është popullsia në Shqipëri, sipas një vlerësimi të mesit të vitit 2020 myslimanët suni përbëjnë 57 për qind të popullsisë, katolikët 10 për qind, ortodoksët afro 7 për qind dhe bektashinjtë 2 për qind.

Shkollat publike janë sekulare, thuhet në raport, ndërsa shkollat private mund të ofrojnë mësime fetare. Bashkësitë fetare drejtojnë 113 institucione arsimore përfshirë universitete, shkolla fillore e të mesme, institucione parashkollore, kopshte, shkolla profesionale dhe jetimore. Shumica e tyre nuk kanë lëndë të detyrueshme të fesë, por i ofrojnë ato si zgjedhore.

Qeveria vazhdoi procesin e legalizimit të xhamive jozyrtare, kishave katolike dhe ortodokse dhe teqeve të ndërtuara pas rënies së komunizmit në fillim të viteve 1990. Agjencia Shtetërore e Kadastrës raportoi se gjatë vitit, ajo legalizoi 92 ndërtesa fetare, duke përfshirë 22 kisha katolike dhe ndërtesa të tjera të kishës katolike, 58 xhami dhe ndërtesa të tjera të komunitetit mysliman, katër kisha ortodokse dhe shtatë teqe. Tridhjetë e dy ndërtesa të tjera mbetën nën shqyrtim.

Raporti vë re disa mospërputhje midis shifrave të raportuara nga Kadastra dhe atyre të komuniteteve fetare. Komuniteti Mysliman raportoi se mori letrat e legalizimit për 27 xhami nga 353 kërkesa të mbetura. Kisha Ortodokse tha se Kadastra legalizoi katër nga 15 ndërtesa për të cilat kishte bërë kërkesë gjatë vitit. Komuniteti Mysliman raportoi se mori 1.26 milion lekë (afërsisht 12,600 dollarë) si kompensim për ndërtimet e paligjshme në pronën e tij.

Në kapitullin për Kosovën, raporti rithekson se kushtetuta ndalon diskriminimin fetar dhe siguron lirinë e besimit, por tërheq vërejtjen se ligji nuk lejon që grupet fetare të regjistrohen si persona juridik, duke krijuar pengesa për ta në kryerjen e punëve të tyre.

Në shtator, qeveria miratoi ndryshimet që do t’u siguronin komuniteteve fetare një status të tillë dhe do t’u mundësonin të zhvillojnë biznes në emrin e tyre dhe të përfitojnë lehtësira të caktuara tatimore, por parlamenti nuk arriti të miratojë ndryshimet për shkak të mungesës së kuorumit.

Raporti thekson se sipas Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), në shumë raste, shkollat fillore publike ua ndaluan ndjekjen e mësimeve nxënëseve më veshje fetare.

Raporti kujton se më 4 shtator, qeveritë e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan një listë të angazhimeve në Uashington, të ndërmjetësuara nga Shtëpia e Bardhë, që përfshinte një zotim për të mbrojtur dhe promovuar lirinë e besimit, mbrojtjen e zonave fetare, zbatimin e vendimeve gjyqësore në lidhje me Kishën Ortodokse Serbe (KOS) dhe kthimin e pronave të hebrenjve.

Kisha Ortodokse Serbe tha se mungesa e komunikimit konstruktiv me disa qeveri komunale i pengoi pelegrinët ortodoksë serbë të vizitonin lirshëm disa tempuj dhe varreza. Ajo tha se qeveria dështoi të zbatojë plotësisht Ligjin mbi Zonat e Veçanta të Mbrojtura duke dështuar të parandalojë ndërtimin e rrugëve përreth Manastirit të Deçanit. Por raporti thekson se qeveria ndaloi punimet në muajin gusht pas ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar.

Autoritetet lokale dhe qendrore, thuhet në raport, vazhduan të injorojnë një vendim gjykate të vitit 2016 mbi pronësinë e KOS-it mbi disa parcelave të tokës pranë Manastirit të Deçanit.

Policia tha se pati raporte për 57 incidente kundër zonave fetare ose varrezave gjatë vitit, krahasuar me 61 sa ishin në vitin 2019. Policia i cilësoi shumicën e incidenteve si vjedhje, megjithëse disa përfshinin dëmtime në varreza ose prona të tjera. Shumica e incidenteve kishin në shënjestër komunitetin mysliman, megjithëse disa përfshinin Kishën Ortodokse dhe pronat e Kishës Katolike.

Sipas KOS-it, shumë incidente që përfshinin vendet fetare të saj ishin të lidhura me përkatësinë etnike serbe, si dhe besimin, ndërsa pati incidente që nuk u raportuan në polici.

Zyrtarët e ambasadës amerikane, thuhet në raport, vazhduan të inkurajojnë qeverinë të miratojë ndryshime ligjore që lejojnë komunitetet fetare të fitojnë statusin ligjor, të zbatojnë mekanizmat për të mbrojtur lirinë e besimit, të zbatojnë legjislacionin dhe vendimet gjyqësore që kanë të bëjnë me Kishën Ortodokse Serbe dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet pronësore me të. Ambasadori dhe përfaqësues të tjerë të ambasadës diskutuan çështjet e lirisë fetare, përfshirë mbrojtjen e barabartë dhe çështjet e të drejtave pronësore, me udhëheqësit fetarë dhe të shoqërisë civile dhe inkurajuan tolerancën fetare dhe përmirësimin e dialogut ndërfetar.

Qeveria amerikane vlerëson se nga 1.9 milion banorë sa vlerësohet se ka Kosova, 95.6 për qind janë myslimanë, 2.2 për qind katolikë si dhe 1.4 për qind i përkasin besimit ortodoks. Disa nga komunitetet me te vogla kanë kundërshtuar të dhënat e regjistrimit dhe kanë shprehur mosbesim në metodologjinë e tij./VOA

Shtuar 13.05.2021 08:56

Tags: