Raporti i DASH, rrëzohet kërkesa e opozitës për mocionin me debat

Deputetët e Partisë Demokratike, mbështetës së ish-kryeministrit Berisha kanë paraqitur në Kuvend një kërkesë për ndryshimin e rendit të ditës së seancës plenare të kësaj të enjteje.

Deputetët kërkuan ndryshimin e rendit të ditës dhe mbajtjen e një mocioni me debat lidhur me raportin e DASH për Shqipërinë.

Por kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla rrëzoi kërkesën e opozitës dhe tha se fillimisht duhet të dorëzojnë kërkesën për mocion. Më pas Nikolla do të mbledhe konferencën e kryetarëve për të vendosur ditën kur do të zhvillohet mocioni me debat.

Lidhur me kërkesën foli edhe kreu i Grupit Parlamentar të Ps-së, Taulant Balla i cili në fjalën e tij tha se nuk ka pasur asnjë kërkesë  për mocion me debat, ndërkohë shprehu dakordësinë që ky debat të zhvillohet në një moment tjetër.

Balla: Nuk jemi para një kërkese të mocionit me debat. Nuk na ka ardhur një kërkesë. Ka një kërkesë për ndryshim të rendit të ditës, për të përfshirë në rend dite diçka që nuk ekziston. Nëse doni të zhvillojmë një mocion me debat për gjetjet e DASH, ne jemi të gatshëm që të shqyrtojmë kërkesën brenda tre ditësh. Kemi shumë kohë që presim të flasim për shumë gjetje të DASH. Ju që kërkuat mocion me debat para disa kohësh ikët. Ne jemi të gatshëm që të kemi mocion për raportin e DASH. Duhet të zhvillojmë një mocion me debat dhe për procesin e integrimin.  Sot kemi një sërë çështjesh për të diskutuar dhe për të debatuar./Albeu.com/


Shtuar 23.03.2023 11:01