Rama tregon vatrat e zjarrit që përbëjnë rrezik për njerëzit (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku njofton situatën më të fundit nga zjarret në vend, ku vijojnë të mbesin aktive dhe të rrezikshme vatrat në Dukat, në Thirrë të Mirditës në Majën e Rrunës në Kukës.

Vatrat e zjarrit djegin prej 15 ditësh Karaburunin, ndërkohë që tashmë shqiptarët i kanë kthyer sytë nga ndërhyrja nga ajri që erdhi nga Hollanda dhe Çekia, në kuadër të mekanizmit europian për emergjencat civile.

Postimi i Ramës:

Situata e zjarrit në Dukat është përmirësuar, por puna e forcave operacionale po vijon për mbajtjen nën kontroll të flakëve nga toka.

E vështirë paraqitet situata në fshatin Thirrë, në bashkinë Mirditë, ku zjarri ka përparuar duke u futur në zonë me dendësi pyjore. Aty forcat po punojnë për të ndërprerë vijën e zjarrit në afërsi të rrugës së fshatit. Në varësi të situatës mund të parashikohet edhe ndërhyrje nga ajri. 

Vatra e zjarrit në fshatin Munellë-Domgjon, në Fan të Mirditës është izoluar në njërën anë, por ka përhapje në pjesën e sipërme, ku ndërhyrja bëhet e vështirë.

Edhe në Kukës në Majën e Rrunës, ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit, por situata po mbahet nën kontroll, në mënyrë që të mos ketë përhapje.

Vatra të tjera, të cilat janë nën kontroll janë në luginën e Valbonës, në fshatin Klysyrë, në fshatin Gjorgos të Fierit, ku situata është përmirësuar.

Nuk ka rrezik për banesa dhe po mbahen nën monitorim vatrat; afër Kepit të Rodonit në Durrës, një vatër në fshatin Deshiran në bashkinë e Belshit, ku era po ndërlikon punën e forcave operacionale.

Zjarri në fshatin Treblovë, në bashkinë Selenicë është shuar

Një vatër në terren të vështirë është paraqitur në vendin e quajtur “Varri i Nures”, në kufi midis Përmetit dhe Skraparit në Bejkollarë, por nuk rrezikon përhapjen e flakëve. Po punohet për izolimin e saj.

Punonjësit e zjarrfikëses dhe emergjencave civile po punojnë për të mos lejuar përhapjen e flakëve në një vatër zjarri  në zonat e mbrojtura Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli, në fshatin Bejkollarë, në Gjirokastër.


Shtuar 7.08.2021 19:34