Rama takim me pensionistët për Paketën e Rezistencës: E paralajmëruam krizën, protestat turp kombëtar

Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një bashkëbisedim me pensionistët për paketën e Rezistencës Sociale, indeksimin e pensioneve dhe kompensimin e rritjes së çmimeve të shportës.

Pas mbledhjes me qeverinë, kryeministri prezantoi 7 masat e marra, ku përfitonin edhe pensionistët.

Rama tha se do të kompensojnë me 3 mijë lekë rritjen e çmimeve të shportës për shtresat në nevojë. Kjo shumë do të përfitohet për 3 muaj nga pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistë të invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet me ndihmë ekonomike.

“Ka qenë pjesë e skenarit të luftës nga ana e Rusisë për të turbulluar tregun e energjisë, që kjo krizë ka nisur përpara. E kemi paralajmëruar fillimin e krizës disa muaj më parë, para se të merrte formën e plotë dhe kur fola për krizën që po jepte simptomat e para pati reagime negative që kjo është lojë, se s’ka krizë ndërkohë ne kishim filluar ta konstatonim se po rriteshin çmimet e energjisë në treg”, tha Rama.

Rama u ndal më së shumti te kriza energjetike ku paralajmëroi se do të ketë ndryshme në faturën e energjisë, ku do të vendoset çmimi real në bursë dhe diferencën që paguan shteti.

“Në faturë do të vendoset edhe çmimi real që të kuptoni sesa paguan shteti”, tha Rama, ndwrsa nuk la pa pwrmendur edhe protestwn.

“E bëjnë Shqipërinë të njëjtin vend në NATO që proteston që në ditët e para për pasojat e luftës për çmimet. Turp kombëtar”, tha Rama.

Pika dy e Paketës së Rezistencës u dedikohet pensionistëve:

Kompensim i rritjes së çmimeve të shportës për 3 muaj me nga 3 mijë lekë. Bazuar në përllogaritjen e INSTAT-it është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të llogaritur përpara goditjes, është 25 mijë lekë të vjetra. Përfitojnë 434 mijë qytetarë: pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistët e invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër, të gjitha familjet me ndihmë ekonomike.


Shtuar 14.03.2022 11:13