Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video të shembjes së një ndërtese në Vlorë, duke dhënë mesazhin se ndërhyrjet ndaj ndërtimeve të paligjshme nuk do të ndalen.
Ai thekson se ndëshkimi prek edhe ata që mendohet se nuk preken, “shkelësit e mëdhenj”.
“Kjo video është për ata që kanë merakun e gabuar se s’po ndëshkohen shkelësit e mëdhenj.” -shkruan Rama.
Ai thekson se godina e shembur nuk është rast i izoluar, por pjesë e një procesi më të gjerë.
“Kjo ngrehinë këtu nuk është as e para e as e fundit që rrafshohet për paligjshmëri.“-vijon Rama.
Në vijim të qëndrimit të tij, Rama paralajmëron edhe miratimin e një pakete të re masash që synon jo vetëm ndëshkimin e shkelësve, por edhe të atyre që lejojnë këto paligjshmëri të ndodhin.
“Njëkohësisht pakoja e re e masave që do të miratojmë së shpejti do të jetë një mesazh i qartë për të gjithë, ata që shkelin ligjin duke lënduar mjedisin e përbashkët, po edhe ata që mbyllin sytë përpara shkelësve.” -shkruan ai.