Rama sfidon PD: Më gjeni videon që tregon se unë kam quajtur Berishën, kriminel e hajdut, do kërkoj ndjesë

Kryeministri Edi Rama ka sfiduar Partinë Demokratike që të nxjerrë prova që vërtetojnë se ai i është drejtuar kryedemokratit Sali Berisha apo ish-kreut të PD-së, Lulzim Basha me fjalët ‘kriminel, hajdut, mafioz’. Nga foltorja e Kuvendit, Rama tha se ai do të kërkojë ndjesë nëse kjo gjë ka ndodhur dhe nuk e mban mend.

“Mund t’i them veshëderr ose mund të më thbotë kokëderr. Keq është, por janë opinione, kurse kriminel e mafioz janë akuza penale. Unë vërtetë mund të kem përdorur, një shqipe që ndoshta shqetëson, se dhe unë njeri i gjallë jam, kam dhe unë armën time, por po më gjetët një herë të vetme që unë të kem akuzuar qoftë edhe non-gratën, për të cilin nuk kam ushqyer ndjenja dashurie kuptohet apo atë që erdhi pas tij dhe ka humbur vetë se vulën ua ka lënë ju. Nëse më gjeni që unë një herë t’i jem drejtuar e t’i kem thënë ‘o kriminel mbylle gojën’, ‘o hajdut pusho’, ‘o mafioz mos fol’, atëherë ma sillni dhe unë do të dal këtu e me sa vite vonesë të jem, do të kërkoj ndjesë. Për këto fjalë shqiptarët vriteshin, për veshderr kërkoje ndjesë dhe vazhdonte jeta, ndërsa për këto gjëra, të ikte jeta,”- tha Rama.