Këtë të mërkurë, përmes një postimi ne “Facebook”, kryeministri Edi Rama, ka ndarë pamje mahnitëse nga Plazhi i Kunës në Lezhë, duke e cilësuar atë si një destinacion unik mes gjelbërimit të natyrës dhe freskisë që ofron deti Adriatik.
“Plazhi i Kunës në Lezhë, mes gjelbërimit dhe freskisë së Adriatikut”, shkruan Rama ne postim i shoqëruar me pamje nga ky destinacion turistik, gjithnjë e më i preferuar nga vendas dhe të huaj gjatë sezonit veror.
Në Kunë pushuesit mund të zgjedhin mes plazhit publik dhe atij privat. Turistët e huaj shpesh vendosen në këtë zonë me pisha të dendura edhe me kamperat e tyre.
Po ashtu, ka edhe zona për aktivitet sportiv, volejboll..etj
Plazhi i Kunës ndodhet në pjesën Veriore të Shqipërisë, rreth 5 kilometra larg qytetit të Lezhës dhe është pjesë e Kompleksit të Kune-Vainit, një zonë e mbrojtur me rëndësi të veçantë ekologjike dhe biodiversitet të pasur.
I njohur për peizazhin natyror të veçantë, me pyje të dendura pishe, laguna dhe rërë të artë, plazhi tërheq turistë vendas dhe të huaj që kërkojnë pushime të qeta dhe larg zhurmës urbane.
Kuna është ndër zonat më të hershme të zhvilluara për turizëm në këtë rajon, dhe vitet e fundit ka njohur investime të vazhdueshme për përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe promovimin e saj si një destinacion i qëndrueshëm ekologjik.
Në kuadër të zhvillimit të turizmit, qeveria shqiptare ka përfshirë zonën e Kunës në projektet e saj strategjike për ruajtjen dhe promovimin e mjediseve të mbrojtura, duke nxitur njëherazi edhe zhvillimin ekonomik lokal.
Plazhi i Kunës mbetet një ndër perlat e natyrës shqiptare, që ofron përvoja autentike mes natyrës së paprekur dhe mikpritjes tradicionale të zonës së Lezhës.