Rama: Politika e pazëvendësueshme për bashkëjetesën! S’duhet lënë monopol në duart e politikanëve (VIDEO)

Në aktivitetin për 30-vjetorin e krijimit të FRESSH, kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim ndryshe, duke treguar ndryshimin që ka koncepti i politikës me atë që njihet sot “si një fjalë e urryer”.

Rama e nisi shpjegimin e tij që me antikitetin, duke përmendur filozofë të njohur, teksa theksoi se sensi i politkës është liria. Sipas Ramës, këtë hendek mes njerëzve e politikës e zgjeron edhe më tej kthimi i politikanëve në të shkuarën, teksa përmendi edhe protestën e dhunshme të Sali Berishës më 8 janar.

“Politika fjalë e urryer për shumëkënd, e shkarravitur. Falë edhe një mundësie krejt të panjohur deri ca kohë më parë për njerëzimin, që kjo kohë ua dha njerëzve për t’u futu në rrjetet sociale, ku ata lënë spontanisht shkarravina, fjala politikë ka hyrë botërisht në grupin e fjalëve të pista. Edhe politikanët janë kthyer në kategori që është e mallkuar. Por politika është mundësia e vetme për orientim kolektiv që ne trashëgojmë nga historia e njerëzimit. Politika lidhet drejtpërdrejtë me kërkimin e të mirës, Platoni e përkufizonte si art mbretërorë. Fjalën politikë e dëgjoni si refuzim, për ‘u marrë apo për të folur për politik. Por a është e vërtetë që politika është sinonim i pisllëkut? Fjala politikë vjen nga ‘polis’ në greqishten e vjetër ishte qytet-shteti. Siç do ishte njeriu pa shpirtin, ashtu do të ishe njerëzimi pa bashkësinë politike.

Para se lindte politika, njerëzit nuk mund të jepnin e nuk mund ë merrnin nga njëri-tjetri. Politika përmbledh të tëra diskutimet mbi problemet që duhen zgjidhur e që kanë të bëjnë me një komunitet njerëzish. Politika është ajo që dallon njeriun nga gjallesat e tjera. Njeriu është e vetmja kafshë politike. Kush thotë nuk merrem me politikë, gënjen veten sepse nuk kupton që politika merret gjithsesi me të. Vendimet e politikës e prekin gjithsesi atë, veprimet e politikës e kushtëzojnë veprimtarinë e tij, politika ndërhyn pa marrë autorizim në jetën e gjithsecilit. Gabojmë kur e lidhim politikën me shfaqjen e saj në media apo rrjete sociale, dhe se të merresh me politik do të thotë doemos që ti je njëri prej tyre që sheh në media, apo fushatë. Pamja e politikës është qërruar si urë bashkëjetesës së qytetarëve me demokracinë. Kjo rënie e interesit me politikën përkon me periudhën e njerëzimit ku më shumë se më parë janë zgjeruar mundësitë për t’u përfshirë në të gjitha nivelet. Përkon me rritjen dramatike të nevojës së njerëzimit për politikën.

Kemi hyrë në një kohë krizash zinxhirë. Zgjerimi i hapësirës mes njerëzve e politikës bëhet dhe më i frikshëm ku politikanët i kthehen të shkuarës dhe humbin busullën e të ardhmes. Kush do ta mendonte atë që pamë në 6 janarin e vitit të kaluar kur u sulmua tempulli i SHBA, apo ato që pamë më 8 janar te oborri i një partie politike që u kthye në sheshxhirimin e një reality shoë, me politikanë realë por të kthyer pas në kohë, nga mesjeta me selin e PD të kthyer në kështjellë. Gjëra të paimagjinueshme që po ndodhin në vendet të ndryshme gjithnjë e më shumë. Pavarësisht problematikës që është reale, politika mbetet e patjetërsuessme e pazëvendësueshme për bashkëjetesën mes njerëzve, për paqen dhe sigurinë. Të thuash sot që politika nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe, rrezikon të shihesh si provokator, ose thjesht si politikan, dmth i pacipë.

Politika nuk duhet lënë në duart e tjerëve si kopili në dyert e të tjerëve sepse ajo vendos për ty e vepron për ty për punë që janë dhe të tuat. Politikanët janë pjesë e politikës, por politika nuk duhet lënë të bëhet monopol  i tyre. Unë s’kisha ambicie politike dhe kur u vendos pluralizmi, u krijua PD , mua më mjaftoi liria e fituar dhe vazhdova punën time si artist. Pse u ngatërrova unë me politikën kur nuk kish ambicie të tilla? Sepse ishte politika shkaku i kufizimeve të tmerrshme të jetës sime si artist. Ça mund të bëja unë i vetëm kundër tyre? Unë nuk doja të merresha me politikë, doja të merresha me art por ja që politika merrej me mua, duke u marrë me artin tim. Vetëm duke ndryshuar politikën, bashkë me të tjerë, unë mund t’i hiqja qafe këto kufizime. Sensi i politikës është liria”, tha Rama.


Shtuar 15.01.2022 12:49

Tags: