Rama për negociatat: Nëse edhe këtë herë nuk na hapet dera, nuk do të mërzitem

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me ministrin gjerman për Europën, foli në lidhje me hapjen e negociatave me BE.

Rama tha se, na është premtuar që dera do të hapet, por në fakt dera nuk u hap. Më tej Rama tha se, nëse edhe këtë herë Shqipërisë nuk i hapej dera, nuk do të mërzitej sepse reformat dhe sakrificat nuk i bëjnë për Parisin, Berlinin apo Brukselin, por për shqiptarët.

“Të jemi të qartë. Përsa më takon mua personalisht, nuk diskutohet që do ta konsideroja një çlirim të madh pas kaq kohe pritjeje te dera, pasi na u tha që dera do të hapet dhe dera nuk është hapur. Por edhe nëse dera nuk hapet, nuk do të jem absolutisht i shqetësuar si kur nuk u hap herën e parë e kur nuk u hap herën e dytë. Sepse besoj shumë se ky është proces që lidhet në radhë të parë me ne, vendin tonë dhe fëmijët tanë. Dhe ne nuk i bëjmë reformat, përpjekjet dhe sakificat pse na i kërkojnë në Paris, Berlin apo Bruksel. Ne i bëjmë sepse kjo është gjëja e duhur për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe natyrisht vetëm duke bërë këtë që po bëjmë, edhe më shumë sesa kemi bërë deri më tani në funksion të procesit të integrimit në BE, ne do t’ju japim fëmijëve tanë Shqipërinë Europiane si shtet që funskionon si çdo shtet anëtar në BE. Ndërsa se çfarë ndodh dhe si ndodh dhe kur ndodh me njohjen dhe afirmimin e punëve të bëra nga ne, kjo nuk është detyra jonë. Kjo është puna e të zotërinjve të asaj shtëpie që janë anëtarët e BE dhe të KiE”, tha Rama./albeu.com


Shtuar 27.05.2021 19:07