Rama: Nga janari, s’ka më dhimbje koke e stres nëpër kufij

Kryeministri Edi Rama gjatë samitit të “Open Balkan” është shprehur se pas firmosjes së marrëveshjes për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, nuk do të ketë më stres dhe dhimbje koke në kufij.

“Na duhet ta hapim rajonin. Në fushën e lirisë së lëvizjes së shërbimeve sot kemi bërë një hap të parë, duke përmirësuar ndërlidhjen, që do të thotë hapja e rrugës së shërbimeve elektronike për qytetarët tanë. Ka edhe një gamë të gjerë shërbimesh, ku ne duhet të bashkëpunojmë. Duhet të ecim përpara drejt njohjes së ndërsjellë të operatorëve turistikë. Duhet të thellojmë bashkëpunimin për lëvizjen e lirë kapitale. Duhet të bëjmë ndryshime të mëtejshme të mendësisë për të kaluar nga klisheja e konkurrencës, te një treg i përbashkët.

I kemi kërkuar BE që të eksplorojë bashkë me ne në disa fusha kyçe, ku ne të kemi qasje në novacion, kërkim, bujqësi, tregti, shërbime elektronike. Kemi ftuar në Samitin në Tiranë rektorë dhe dekanë të Universitetit të Bujqësisë të vendeve tona, që ata të krijojnë lidhje dhe bashkëpunim. Duhet të nisim një rrjet të ekspertëve të nivelit të lartë, për realizimin e marrëveshjeve të Ballkanit të Hapur dhe kërkoj që ky rrjet të mbështetet nga partnerët. Dua të theksoj se çfarë është pjesa më e rëndësishme e kësaj nisme. Ballkani i Hapur shërben për të injektuar dinamizëm në bashkëpunimin rajonal, qoftë mes nesh, apo të gjashtëve, në kuadër të tregut të përbashkët.

Ky bashkëpunim është dypalësh ose trepalësh dhe synimi është zbatimi i shpejtë i lirive të tregut, që vendet tona të bashkohen me tregun e përbashkët të BE. Sot, nënshkrimi i marrëveshjeve të përgatitura me mjaft gatishmëri, shërbejnë për të përçuar mesazh shumë konkret te njerëzit, sidomos te fermerët, eksportuesit, importuesit, të cilët janë tashmë duke punuar në këtë hapësirë të përbashkët. Mesazhi është që me këto marrëveshje, 2022 do të jetë një epokë e re, fillesa e diçkaje krejt të ndryshme për ta, kur vjen fjala e shkuarjes nga pika A, te pika D, dhe për të kaluar nëpër kufij të ndryshëm. Bazuar në atë që do të bëjmë, shumë shpejt në fillim të vitit të ri, ata nuk do të përjetojnë më ato dhimbje koke e stres të pritjes në kufij. Gjithçka do të ecë mirë. Kjo ndërlidhje jo vetëm do të jetë për subjekte që tashmë operojnë, por edhe për të tjerë. Kjo hapësirë do të jetë edhe më dinamike… qarkullimi i mallrave i njerëzve është tashmë praktikë. I falënderoj Aleksandrin dhe Zaron dhe të tjerët që i janë bashkuar sot kësaj tryeze”, deklaroi Rama.

5 marrëveshjet e nënshkruara në samitin e “Open Balkan” në Tiranë (21 dhjetor)

1. Marrëveshja për kushtet për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.

2. Marrëveshja për ndërlidhjen e skemave të identifikimit elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

3. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe ushqimore për kafshë dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor.

4. Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar – siguri dhe siguri (AEOS).

5. Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar – siguri dhe siguri (AEOS)./albeu.com


Shtuar 21.12.2021 09:56