Rama: Më ka zënë belaja me kolegët, më pyesin si i more 4 mandate? Ndoshta fitoj sepse s’jam një socialist i mirë

Në një intervistë me Richard Attias, kryeministri Edi Rama, një prej organizatorëve të Forumit Ndërkombëtar FII që u mbajt në Tiranë, ka komentuar rizgjedhjen e tij në krye të qeverisë pasi fitoi zgjedhjet e 11 Majit ku siguroi 83 mandate.

Rama u shpreh me batuta se; “jam zënë paksa në bela me kolegët socialistë, sepse kur dikush më pyeti, ‘si është e mundur që je socialist, ke fituar katër mandate’”?

Ndërsa shtoi se; “Ndoshta fitoj, sepse nuk jam një socialist i mirë”.

Kreu i qeverisë shtoi se gjëja kryesore për Shqipërinë ështe BE, duke theksuar se tashmë dritarja është hapur.

“Kryeministër, pak ditë më parë, ju u rizgjodhët për mandatin e katërt me radhë, që është historike për Shqipërinë. Cilat do jenë tri përparësitë kryesore tuajat për këtë mandat”?- iu drejtua intervistuesi.

“Së pari, më duhet të ndaj me ju që jam zënë paksa në bela me kolegët socialistë, sepse kur dikush më pyeti, “si është e mundur që je socialist, ke fituar katër mandate”?- deklaroi Rama.

Ndërsa shtoi:Çfarë do iu thoshe të tjerëve?” I thashë: “Dëgjo, nuk di ç’të të them. Ndoshta fitoj, sepse nuk jam një socialist i mirë.” Tani që flasim, tri gjërat kryesore për ne janë BE-ja, BE-ja, BE-ja. Dritarja e mundësisë është hapur. Është shumë e trishtë që na duhej Putini, që kjo dritare mundësie të hapej, sepse ishte agresioni i tij kundër Ukrainës që i zgjoi të gjithë nga gjumi dhe e ktheu në veprim mesazhin përherë shumë të qartë, por vetëm me fjalë, se një ditë, Europa do të jetë e bashkuar. Unë shpresoj që edhe zgjedhja e Donald Trump-it do ta shtyjë Europën të kthejë në veprime gjërat e duhura. Nëse ne ia dalim, atëherë katër mandatet do t’ia kenë vlejtur”.


Shtuar 24.05.2025 10:52