Rama mbledh nesër Kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së, analizë qeverisë dhe partisë në funksion të zgjedhjeve të 2025

Të premten socialistët do të mbledhin kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste. Qeverisja në dy vitet e ardhshme dhe zgjedhjet parlamentare të 2025-ës do të përbëjnë diskutimin kryesor.

Është një kongres që mblidhet për të bërë një përmbledhje të të gjithë rrugëtimit deri më tani si qeveri dhe për të reflektuar mbi gjërat që duhet të bëjë më mirë qeveria, si edhe për të parë e për të përcaktuar më mirë vizionin e Shqipërisë 2030.

Kryesocialisti Edi Rama do të jetë i fundit që do t’i drejtohet të tijve. Përgjatë paradites deri në pasditen e vonë në podiumin e Pallatit të Kongreseve do të kenë fjalën e tyre përfaqësues të ndryshëm të qeverisë dhe partisë.

Njëjtë si me kongresin e fundit, në gjashtë panele të ndryshme, ministrat do të bëjnë një përmbledhje të arritjeve në çështje të rendit, sigurisë, energjisë apo shëndetësisë dhe do të prezantojnë synimet deri në përfundim të mandatit të tretë qeverisës.

Kongresi do të përshëndetet edhe nga miqtë e PS në Evropë, të partive simotra.

Paralelisht me votëbesimin e sekretarit të përgjithshëm të socialistëve, Blendi Klosi do të bëjë publike dhe platformën për arritjen e objektivit, fitoren e mandatit të katërt qeverisës.

Fjala e fundit dhe ajo që do të përcaktojë qasjen e qeverisë ndaj vendimmarrjeve të rëndësishme, drejtësisë dhe opozitës do ta thotë Edi Rama.

Përveç kësaj agjende, ende nuk dihet nëse kongresi i jashtëzakonshëm i socialistëve do të prodhojë ndonjë vendimmarrje të papritur.

“Do të jetë një kongres që do të ketë një interes shumë të madh përtej Partisë Socialiste”, tha Çuçi.