Kryeministri Edi Rama, ka kritikuar ashpër disa deputetë të tij, të cilët nuk kanë bërë aq sa duhet. Për këtë, Rama u ka kërkuar falje të gjithë qytetarëve që u kanë besuar atyre votën.
Në fjalën e tij në Kongresin e PS, Rama tha se disa deputetë nuk kanë përmbushur as minimumin etik të paraqitjes në kohë, ndërkohë që ata paguhen nga taksat e shqiptarëve.
Sipas kryeministrit, jo të gjithë janë të tillë, por tha se ka nga ata që edhe në Kuvend flasin njëherë në hënë, ndërsa tek populli shkojnë vetëm kur shkon ai.
“Dua t`u kërkoj ndjesë sot atyre që deputetë nuk janë, por që kanë investuar mundin e tyre dhe kanë dhënë votën e tyre, që një grusht njerëzish të PS të jenë këtu sot si deputetë.
Dua t’u kërkoj ndjesë për ata deputetë që janë të ulur mes nesh, që nuk e kanë përmbushur as minimumin etik të paraqitjes në kohë dhe në cdo kohë në detyrën, për të cilën paguhen nga taksat e shqiptarëve shumë më mirë as sa shumica dërrmuese e shqiptarëve.
Dua të kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalien në popull vetëm për të më shoqëruar mua, apo që shkojnë në organizatat e partisë për të bërë një foto prezence.
Dua të kërkoj ndjesë për ata deputetë, që u del zëri kur trokasin nëpër zyrat e shteti për punët e tyre dhe familjes së tyre.
Apo edhe për ata deputetë që kur kanë zbritur në sallë, duken vetëm njëherë në hënë dhe flasin sikur kanë ardhur nga hëna.
Ndërsa takimet me njerëzit i bëjnë me njëri-tjetrin.
Një ndjesë të veçantë edhe për disa që u është bërë ves që të bëjnë komentatorin e kolegëve”, tha Rama.