Rama kritika Këshillit Bashkiak të Kavajës: Ne nuk mund të jemi bllokuesit e buxhetit të bashkisë

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka zhvilluar një takim me Organizatat Socialiste në Kavajë për procesin e rienergjitizimit të partisë që ai drejton. Kryesocialisti Rama ka publikuar në rrjetin social “Facebook” një pjesë nga fjala që ka mbajtur në këtë takim për të cilin ka thënë se ka vijuar me anëtarësime të reja në PS.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka thënë se Kavaja është një shembull se si mosmbajtja e ritmit të ndryshimit, se si mbyllja e partisë me idenë që fitorja i takon disave dhe jo të gjithëve, se si mungesa e vetëdijes për nevojë e një vetëreflektimi të vazhdueshëm prodhon faturën e humbjes.

Edi Rama: Shqipëria ndryshon me shpejtësi thuajse përditë. Shqipëria ndryshon çdo vit dhe PS nuk mund të mos ndryshojë me ritmin e shoqërisë që pastaj edhe Shqipëria të ndryshojë dhe më shpejt. Kavaja është një shembull se si mosmbajtja e ritmit të ndryshimit, se si mbyllja e partisë me idenë që fitorja i takon disave dhe jo të gjithëve, se si mungesa e vetëdijes për nevojë e një vetëreflektimi të vazhdueshëm prodhon faturën e humbjes. Kavaja është edhe një shembull shumë kuptimplotë për faktin që PS i ka vetë në dorë, edhe rezultatin pozitiv, edhe atë negativ, edhe fitoren, edhe humbjen.

Kryeministri Rama ka thënë se duhet të jenë të vëmendshëm në raport me detyrimet që kanë në Kavajë dhe sa i përket Këshillit Bashkiak, ndaj të cilit ka pasur kritika për bllokimin e buxhetit të bashkisë.

Edi Rama: Duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe në raport me detyrimit që kemi këtu edhe sa i përket Këshillit Bashkiak. Më thanë që ishte bllokuar buxheti i bashkisë. Ne mund të kemi numrat për të bllokuar buxhetin e bashkisë, por ne nuk mund të jemi bllokuesit e buxhetit të bashkisë. Këshilltarët e bashkisë janë aty për t’i shërbyer komunitetit, nuk janë aty për t’i bërë karshillëk ultrasve të anës tjetër. Ne kemi bërë edhe ne shumë gjëra që po të ktheheshim prapa, jam i bindur se nuk do t’i përsërisnim sepse kemi mësuar shumë gjëra ndërkohë, ashtu sikundër ne shohim se sa rezultat jep kur ti bën një opozitë qorre, shurdhe dhe ku trurin e lë në frigorifer kur del nga shtëpia dhe në vend të trurit përdor krahët, përdor këmbët, përdor kokën sikur të ishte një tenxhere bosh me të cilin i bie murit.

Kryesocialisti Rama ka mbyllur fjalën e tij duke thënë se PS-ja është një forcë që ka vullnet për të rindërtuar atë që të tjetër kanë bërë shtrëmbër.

Edi Rama: PS është një forcë që ka dëshmuar vullnet për të rindërtuar, për të risjellë në jetë atë që të tjerët kanë bërë shtrembër apo kanë asgjësuar.


Shtuar 7.03.2024 20:25