Kryeministri Edi Rama, njëherësh kreu i Partisë Socialiste, deklaroi në Asamblenë e zgjeruar të PS në Vlorë, se këtë vit Shqipëria ka patur një stabilitet ekonomik si asnjë vit tjetër më parë.
Ai theksoi se pensionistët do të marrin bonusin e festave duke nisur pas disa ditësh
“Brenda vitit 2023, ne duhet të arrijmë në 20 milionë turistë dhe në mos më tepër. Ama për të arritur, na duhet të bëjmë shumë më tepër në të gjithë kompnentët e zinxhirit të turizmit. Një tjetër shifër shumë domethënëse për pasqyrën aktuale të ekonomisë së vendit, është borxhi publik. Kemi një ulje në rreth 60%, rreth 15 pikë më shumë. Rritja e investimeve nga njëra anë dhe ulja e borxhit nga ana tjetër, janë një situatë shumë kuptimplotë për ekonominë e vendit.
Kemi pasur rritje çmimesh, por kemi pasur inflacionin më të ulët në rajonin tonë. Inflacioni tanimë është futur në një rrugë progresive uljeje. kemi rritur pagën minimale në 400 mijë lekë të vjetra, por për shkak të monedhës së fortë, e kemi 400 euro pagën minimale. Njësimi i lekut me euron e ka rritur edhe në këtë drejtim pagën.
Kjo do të bëjë që paga mesatare në mesin e vitit të ardhshëm të jetë 900 euro, në sektorin publik . Qoftë për pagat dhe pensionet, pse kemi krijuar më shumë mundësi përmes fuqizimit të ekonomisë do kemi 650 mln euro të dedikuara në buxhetin e 2024.
Thonë se PS nuk është e majtë, por kjo rrëzohet duke parë se çfarë përqindje zë në të gjithë buxhetin mbrojtja sociale. 33% e të gjithës shkon për kujdes social. Që nga pensionistët, që përveç rritjes së pensioneve përmes riindeksimit të vazhdueshëm, është i përcaktuar edhe bonusi, që do ta japim përsëri tani në prag të festave, por ndryshe nga vitet e tjera, për shkak se kemi një situatë financiare më të mirë, do fillojmë ta japim menjëherë. Brenda disa ditësh do fillojë shpërndarja e bonusit të pensionistëve, siç u bë edhe vitin e kaluar.
Ndërkohë për herë të parë 2% e buxhetit do të shkojë për Mbrojtjen”, u shpreh Rama.