Rama inspekton punimet në “Lungomare 3”: Projekt madhor për transformimin rrënjësor urban dhe ekonomik

Në bregdetin e jugut, vijon puna për zbatimin e projekteve transformuese infrastrukturore me prioritet në zonat me potencial të lartë turistik.

Në kantierin e ri të “Lungomare 3”, i cili shtrihet përgjatë vijës bregdetare nga tuneli i Ujit të Ftohtë në Vlorë deri në Radhimë dhe Orikum, po merr jetë nga dita në ditë projekti madhor i një tjetër transformimi rrënjësor urban, ekonomik e social për Vlorën dhe më gjerë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në terren për të inspektuar nga afër ecurinë e projektit në lote të ndryshme.

“Ky është fillimi i kantierit të lotit 1 të shëtitores Lungomare 3. Është e ndarë në dy Lote. Kjo është lidhja me pjesën e shëtitores së fazës së dytë. Nëse shpjegojmë të gjithë projektin, e gjithë kjo vijë bregdetare prej 4,5 kilometra është një vijë që vazhdimisht ka goditje erozioni, gërryerje e tokës dhe në vende të caktuara, kjo problematikë ndodh dhe në pjesën e rrugëve”, shpjegoi inxhinieri i punimeve, ndërsa theksoi se gjithçka është mirëprojektuar në detaje dhe çdo problematikë do të zgjidhet me zbatimin e projektit.

Gjatë punimeve do të realizohen ndërhyrje për transformimin cilësor të plazheve, hapësirave publike, njësive të shërbimit, si edhe do të mbillen pemë e krijohen zona të mëdha këmbësore mbi gjurmën e rrugës ekzistuese, ku do të ketë edhe një rrugë biçikletash, ndërkohë që trafiku i automjeteve do të spostohet në një aks të ri, duke mundësuar një frymëmarrje krejt të re Vlorën turistike.

“Midis rehabilitimit të plazheve dhe shëtitores, projektuesi ka bërë një super projekt në lidhje me gjelbërimin. Projektuesi ka bërë një rikonfigurim të gjithë vijës bregdetare dhe nëse e shikojmë gjithë projektin, elementët kryesorë që rehabiliton fillon me vijën bregdetare të plazheve. Elementi i dytë i rëndësishëm i kësaj shëtitoreje është që në këtë fazë që jemi, që nga përroi i Radhimës krijohet një pedonale me gjerësi 5metra e ndarë me korsi biçikletat dhe kjo, duke qarkulluar sipas terrenit ekzistues, e bën të shkelshme të gjithë këtë vijë bregdetare që ne sot e shohim të cunguar”, detajoi më tej drejtuesi i punimeve.

Kryeministri Rama tha se zhvillimi i mëtejshëm i  zonave me potencial të lartë turistik do të jetë një nga përparësitë e punës për sezonet e ardhshëm turistikë. “Kthimi i saj në pedonale do të jetë një spektakël i paparë, do ta bëjë këtë zonë si ato zonat më të populluara gjatë plazhit në Spanjë e në Greqi. Orikumi, Borshi dhe Ksamili janë tre zona me një potencial të madh. Ndërhyrja këtu, siç bëmë në Vlorë, do të ndryshojë tërësisht pamjen”, u shpreh kryeministri Rama./Albeu.com 

 


Shtuar 26.10.2023 14:13