Rama i bën thirrje aleatëve të ndihmojnë Ukrainën: Putin donte ta fshinte nga harta, por nuk ia doli

“Putin donte ta fshinte nga harta Ukrainën por ajo sot është më shumë e ankoruar në Europë. Duam të përsërisim thirrjen të ndalet lufta!” tha Rama në fjalën hapëse të Sesionit ku do të diskutohet, se si mund të punojnë së bashku dhe të ofrojnë mbështetjen për Ukrainën, si dhe të kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe Evropës.

Kreu i qeverisë, i bëri thirrje aleatëve që të ndihmojnë Ukrainën financiarisht dhe ushtarakisht. Rama tha se rajoni i Ballkanit është i njohur me luftën e cila ka lënë plagë të thella që ende duhen shëruar.

Edi Rama: Sapo keni shenjuar përvjetorin e dytë të zymtë dhe jemi këtu për të shprehur mbështetjen tonë për Ukrainën. Duam të ripërtërijmë thirrjen tonë për Rusinë që të ndalë këtë luftë. Mblidhemi këtu për të rikonfirmuar se mbetemi të bashkuar në përgjigjen tonë. Jemi të vetëdijshëm për kufizimet tona. E them herë pas here, ia them mikut tim të dashur, presidentit ukrainas se sa të vetëdijshëm jemi që nuk kemi kapacitet financiare dhe ushtarake për t’i ofruar Ukrainës. Prandaj i bëj thirrje të gjithëve që të bashkohen sepse mbijetesa e Ukrainës varet nga mbështetja financiare dhe ushtarake që aleatët ofrojnë. Kjo mbështejte nuk duhet të jetë peng i politikave të brendshme. Ukraina nuk po lufton vetëm për veten. E ardhmja mund të arrihet vetëm me paqe dhe vetëm duke punuar së bashku.

Rama shtoi se duhet të vijojnë të luftojnë për paqe. Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria ka bërë atë që duhet dhe do vijojë ta bëjë./albeu.com


Shtuar 28.02.2024 12:04