Rama gjatë intervistës për RAI3: Unë nuk takohem me kriminelë, në rregull? Po e ndihmojmë Italinë kur BE-ja e braktisi

Kryeministri Edi Rama tha sot, gjatë emisionit “Report” në Rai 3, se personat që ngrenë akuza ndaj tij apo qeverisë kanë dhe barrën e provës. Sipas kreut të qeverisë, ata që hedhin baltë me Shqipërinë, janë ata që kanë humbur luksin e të qenit në një karrige pushteti dhe janë nën hetim nga drejtësia.

“Kanabizimi? Nuk di me kë keni folur, po unë nuk do iu besoja shumë atyre që flasin pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit. Kështu e mendoj unë. Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen. Duhet të jetë një burim tërësisht i ndotur dhe duhet të ketë probleme me drejtësinë. Kemi një thënie ne në Shqipëri, “pyll pa derra nuk ka””, tha Rama.

“Do ju them diçka, se është ajo çka e bëri të neveritshëm reportazhin tuaj. Që nga romakët, civilizimi ynë e ka zgjidhur këtë problem. I takon barra atij që akuzon të paraqesë provat, jo të akuzuarit, sepse, nëse unë ju akuzoj tani ose nëse ju bëj një pyetje të pafajshme, po që është e rëndë: “Më falni, mos ju ka paguar gjë Bechetti?” Ju takon juve ta vërtetoni apo më takon mua ta vërtetoj? Atëherë, nëse unë jua bëj këtë pyetje, ju do thoni: “Sigurisht që jo.” Po nuk është kjo mënyra për të ushqyer publikun, sepse, ndërkohë, po t’jua bëj këtë pyetje, publiku do të nisë të mendojë me vete, “ëhëëë”, pasi, përgjithësisht, qenia njerëzore është shumë herë më e prirur të tërhiqet gënjeshtrat sesa të vërtetat. Në shumicën e rasteve, të vërtetat janë të mërzitshme, nuk përbëjnë lajm; gënjeshtrat ndërkohë janë argëtuese, përbëjnë lajm dhe, pastaj, të gjithë politikanët janë të korruptuar, të gjithë politikanët janë kriminelë. Atëherë, pse jo, edhe krerët e organizatave kriminale kanë ardhur këtu dhe unë vizatoj, ndërkohë që ata më vinin përpara hartat e tyre të trafiqeve. Do ishte një film i bukur”, tha Rama.

Ndërsa gazetari italian e pyeti për Engjëll Agaçin, Rama u përgjigj duke theksuar se “po si mundemi të bëjmë ne një intervistë, me ju që përfaqësoni një program të famshëm në Itali, që ka bërë edhe hetime, të cilat kanë bërë zbulime befasuese, pra shërbimi publik, dhe me mua që jam Kryeministri i Shqipërisë, e këtu e sjellim bisedën në një nivel kaq të ulët dhe flasim për njerëzit. Domethënë, marrim emra njerëzish, të cilët as nuk janë të pranishëm, nuk kanë poste e tituj, njerëz që kanë jetët e tyre, nuk është e mundur”.

“Nuk është në shërbim të publikut të marrësh emrat e njerëzve, që kanë jetët e tyre, që janë në punën e tyre, të cilët nuk kanë lidhje kurrkund me punën tuaj, me punën time, që është një punë me peshë, ku flitet vërtet për gjera me peshë, e bëhen pastaj objekt”, tha Rama.

“Mediet shqiptare nuk bëjnë dallim. Unë midis “Report” dhe homologes së tij në Shqipëri zgjedh Report-in. Domethënë, për mua neveria e Report-it është mjaltë, krahasuar me neverinë e homologes suaj këtu në Shqipëri. Mediet shqiptare nuk janë një argument për këtë. Unë, kur flas me ju, duke qenë se më përmendët arkitektët, flas me dikë që përfaqëson kategorinë që, le të themi, është krijuar nga Montanelli, jo kategorinë e krijuar nga Enver Hoxha”, shtoi Rama.

“Unë takohem me shumë njerëz dhe unë mbaj përgjegjësi për atë që bëj vetë dhe për atë çfarë personat janë kur vijnë tek unë. Pastaj, nëse zbulohet se dikush nuk është në rregull, i takon drejtësisë të bëj punën e saj dhe, sigurisht, më takon mua, i takon qeverisë, i takon administratës të distancohen. Nëse unë ju them, po ju takoheni me Francesco Bechettin, që është një kriminel, më fal po çfarë do të thotë kjo? Ju bëni punën tuaj. Unë nuk takohem me kriminelë, në rregull? Kjo është fyese”, theksoi Rama.

“Megjithatë, fakti që një person edhe në qeveri apo një person që vjen nga jashtë, del nesër që është i kalbur nuk më bën mua përgjegjës që e kam takuar atë apo kam takuar dikë tjetër. Pra, kjo është mënyra sesi bëhet një gazetari që bën pis, që bën pis, sepse më fal, e para fare, unë as nuk jap, as nuk anuloj koncesione apo çfarëdo që të jetë”, shtoi Rama.

“Më fal, po unë nuk jam shteti, jam Kryeministri. Shteti ka strukturat e veta, ka administratën e vet, sepse është siç e thashë më parë. Pra, krimineli italian, i cili është dënuar këtu me 17 vjet, i është drejtuar gjykatës për një problem, që, sipas tij, është krijuar nga ne, ndërkohë që ai pastronte para dhe ka përdorur një fjalë timen, postuar në Tëitter, pasi ishte shprehur prokuroria, si presion kundër lirisë së shtypit. Pra, duhet kaluar përmes rrugës gjyqësore, përmes rrugës institucionale për çdo subjekt, për gjithçka, sepse hetimet janë një gjë, proceset gjyqësore janë një gjë tjetër, vendimet e formës së prerë nga gjykatat janë diçka tjetër dhe po te dilet me shpatë e të flitet qeshim, pastaj e gjen veten në situata shumë të parehatshme nga këndvështrimi i shtetit”, tha Rama.

“Ne, shteti shqiptar nuk jep koncesione, nuk u jep leje, nuk iu jep asgjë kriminelëve. Pastaj, nëse ndokush del se është një person që duhet të përgjigjet përpara drejtësisë për afera, siç ndodh në Itali çdo muaj, ju nuk do ta merrnit kurrë guximin të thoshit, “atëherë, për këtë, kryeministrja italiane që është takuar me atë njeri, është një kriminele”, shtoi Rama.

“Unë jam takuar me shqiptarë, të cilët kanë ardhur tek unë, më kanë thënë që kishin synim të zhvillonin diçka dhe iu kam thënë: “Bëni si të doni, ligji dhe rrugët janë të qarta”. Dhe nuk me duket që ndokush të ketë përftuar ndonjë gjë si favor. Pastaj, nëse del se dikush është i bërë pis, atëherë, këtu ka ligje. Është sekuestrimi, është një gjë a një tjetër. Po është krejt ndryshe, domethënë nuk vjen prej meje”, tha Rama.

Po ashtu, gazetari italian përmendi dhe akuzat e ngritura nga politika shqiptare mbi vëllain e kryeministrit, Olsi Rama.

“Që është një tjetër ndërhyrje e neveritshme në jetën e dikujt që nuk ka asnjë lidhje, në jetën e dikujt që akuzohet vetëm se është im vëlla, sepse fakti nuk ekziston. Po ashtu, ai ka ngritur edhe padi dhe tani shpresoj që edhe kjo gjë do të sqarohet nga prokuroria e posaçme. Po, e kuptoni? Ju jeni shërbimi publik italian, nuk jeni një kanal shqiptar që bën si të dojë, sepse, në fund të fundit, të flasësh për të tilla gjëra të thuash që, i vëllai, aaa është akuzuar. I akuzuar nga kush, i akuzuar për çfarë? Pastaj, ku janë provat? Pastaj, këto “prova”, janë tani, shpresoj nën hetim. Janë nën hetim, pasi ai ka paraqitur padi për shpifje, kështu që këtu i duhet lënë në dorë drejtësisë. Por t’i marrësh gjëra të tilla e të formosh një mozaik me copëza që janë të gjitha gjysmë të vërteta. Janë të gjitha gjysmë të vërteta dhe për këtë arsye gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha, mashtrimet më të mëdha”, tha Rama.

“BRAKTISJA E BE”

Kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive në Rai 3, tek emisioni “Report” tha se emisioni i transmetuar nga ky rrjet televiziv italian disa javë më parë, ku flitej për marrëveshjen me Italinë për emigrantët, ishte i neveritshëm.

Sipas Ramës, Shqipëria po ndihmon Italinë për një problematikë që Bashkimi Evropian e ka braktisur. Rama theksoi se vendosja e gjysmë të vërtetave si fakte, e kthente atë emision në të neveritshëm.

Rai3: Atëherë, Kryeministër, falemnderit që pranuat këtë intervistë. E vlerësojmë shumë si shenjë disponibiliteti të madh. Pyetja e parë është kjo: Ju e përkufizuat emisionin tim, hetimin tim si “të neveritshëm”. Është gabim përkthimi apo donit vërtet të thoshit “i neveritshëm”?

KM: Tani jeni këtu në shtëpinë time dhe nuk do doja të këmbëngulja tek ajo fjalë, por, nëse doni të këmbëngulni, po, ishte shumë i neveritshëm.

Rai3: Pse?

KM: Sepse ishte shumë e qartë që qëllimi ishte të bënit një emision për qendrat e pritjes së migrantëve dhe është e drejta juaj e shenjtë, unë nuk mundem as ta vë në diskutim, që ju të keni opinionin tuaj, të informoni publikun tuaj rreth këtij opinioni, të mblidhni faktet… Por, ta lidhësh këtë histori italiane tuajën me gjithçka kishit qepur bashkë për Shqipërinë, qeverinë shqiptare, për Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, me personazhe të themi mjaft të errëta të Shqipërisë, dukej sikur, në fakt, ishte e qartë që mesazhi ishte se marrëveshja bëhej midis një qeverie italiane, të cilën ju nuk e fshihni që nuk e vlerësoni dhe…

Rai3: Ne i kemi kritikuar të gjitha qeveritë.

KM: … dhe midis një qeverie në Shqipëri, që del si një partnere në hije, me personazhe të lidhura me trafikun e narkotikëve apo me këtë ose atë tjetrën. Kjo është pjesa e neveritshme, jo fakti që ju trajtoni në programin tuaj problemin sesi do të administrohet e gjithë kjo marrëveshje. Edhe vënia në dyshim e vetë idesë së marrëveshjes, dhe i gjithë një një mal gjysmë të vërtetash, të cilat janë gënjeshtrat më të mëdha, është e neveritshme.

Rai3: Do ju jap sigurisht mundësinë të shpjegoheni për këtë punën e narkoshtetit. Do ta nis nga qendrat për imigrantët. Si lindi kjo ide? Kush jua propozoi?

KM: E kam thënë dhe e përsëris, ka qenë një kërkesë mjaft miqësore nga Xhorxha, nëse do ta merrja në konsideratë mundësinë për të bërë diçka bashkë për këtë dhe unë i thashë “pse jo, ta mendojmë”. Pastaj, kaluan muaj, ajo erdhi në Shqipëri dhe patëm mundësi të diskutojmë më gjatë se çfarë mund të bëhej, cila mund ishte pjesa jonë në këtë gjë dhe, pastaj, e bëmë.

Rai3: Megjithatë, nuk mendoni se dëbimi i migrantëve që përpiqen të mbërrijnë në Itali drejt Shqipërisë është një shkelje e të drejtave themelore të njeriut?

KM: Kjo është një mënyrë për ta parë gjënë, por ka edhe një mënyrë tjetër për ta parë, sepse gjeografia nuk mund të jetë mallkimi i Italisë, që është lënë e vetme për shumë kohë. Në momente dramatike në kohë është braktisur vërtet në vetminë r saj, sepse, nëse dikush vë këmbë në Itali, vë këmbë në Europë. Pra, nuk është një që mbërrin aty dhe Italisë i duhet ta menaxhojë vetë; është dikush që mbërrin në Europë dhe Europa duhet ta menaxhojë së bashku. Për më tepër, ka një dispozitiv të rëndësishëm të legjislacionit europian, që është rishpërndarja dhe që, qartësisht, nuk ka funksionuar. Në dëm të Italisë. Ndërkohë ne nuk jemi një vend që është pjesë e BE-së, ne jemi pjesë e E-së, pra jemi vend europian e gjendemi në anën tjetër të detit nga Italia dhe, thjesht, kemi marrë përsipër një përgjegjësi si europianë, në kuptimin që, ju keni nevojë që ne të kontribuojmë e të marrim pjesë. Nëse këtë gjë do ta kishte bërë Sllovakia, Polonia apo kushdo tjetër që është në Bashkimin Europian, asgjë nuk do të ishte thënë, por fakti që Shqipëria nuk është në Bashkimin Europian, ngre gjithë këtë zhurmë dhe, më pas, këtë interpretim, do të thoja subjektiv, të faktit.

Rai3: Po, nëse, në kohën kur shqiptarët kalonin përmes Kanalit të Otrantos për të mbërritur në Itali, të dëboheshin në Tunizi, në Egjipt, në pritje të përgjigjes për kërkesën e tyre për azil, çfarë do të mendonit?

KM: Para së gjithash, nuk është e njëjta gjë…

Rai3: S’ka gjë, rifillojmë.

KM: E dëgjuat? Ai ka ide subversive…

Rai3: Ide subversive? Absolutisht jo.

KM: Bëj shaka. Para së gjithash, nuk është e njëjta gjë. Jemi në një situatë ku duhet një qasje e përbashkët europiane, e të gjithëve. Nuk është një temë e politikës së ditës apo interesave zgjedhore, është një çështje shumë e madhe për t’u kthyer në objekt përplasjesh politike. Sepse në fund të fundit, të gjithë, kur vijnë në qeveri, e mendojnë njësoj dhe kërkojnë të bëjnë thuajse të njëjtën gjë. Qoftë e majta apo e djathta, në Itali e kudo, flasin për kontrollin e flukseve, flasin për flukse të paligjshme, flasin…

Rai3: Absolutisht…

KM: Atëherë, çfarë?!
Bëjmë moral kur rrimë aty e shohim të tjerët që iu duhet ta menaxhojnë dhe, pastaj, kur vjen puna për ta menaxhuar vetë bëjmë të njëjtën gjë? Këtu ka nevojë për një tryezë të madhe të përbashkët të të gjithëve, përtej së majtës dhe së djathtës, për të kuptuar, nga njëra anë, që ka një demografi që po ndëshkon një Europë të tërë, të themi, sidomos Europën e vjetër…

Rai3: Një dimër demografik.

KM: … me rritjen e moshës së popullsisë që nuk duket se po ka një zgjidhje, ndërkohë, nga ana tjetër, ka një nevojë të jashtëzakonshme për fuqi të re punëtore. Ku do i gjejnë? Se nuk më duket që të rinjtë italianë janë të prirur të bëjnë më shumë fëmijë, për të ndihmuar flamurin trengjyrësh.

Rai3: Këtu dalloj Ramën socialist.

KM: Ramën socialist?… Në fakt, unë jam socialist pak i çuditshëm, sepse nuk besoj në llogoret ideologjike. Unë besoj në zgjidhjet e përbashkëta dhe në zgjidhjet që funksionojnë. Nëse një zgjidhje funksionon, funksionon dhe nuk mund të etiketohet si e majtë apo e djathtë dhe pastaj të bëhet diçka që nuk funksionon.

Rai3: Atëherë, më këtë marrëveshje po kontribuoni për ndërtimin e një modeli, sipas të cilit, vendet e pasura do ta zgjidhin problemin duke ua shkarkuar atë në kurriz vendeve të varfra?

KM: Para së gjithash, e kam thënë që në fillim, Shqipëria nuk mund ta zgjidhë këtë problem, çfarëdo të bëjë. Ky problem zgjidhet së bashku dhe nuk është një problem që mund ta transferosh, është një problem që duhet ta godasësh dhe duhet goditur bashkërisht. Në këtë kuptim, po flisja për përmbajtjen e kësaj Europe, përballë kësaj sfide të plakjes dhe mungesës së krahut të punës dhe, nga ana tjetër, po flisja për nevojën për të mos rënë viktimë e të gjitha dëshirave kriminale të atyre që përdorin varfërinë, që shfrytëzojnë të gjitha problemet e të varfërve, për t’iu marrë edhe paratë e fundit që iu kanë mbetur e për t’i sjellë në Europë pa asnjë kontroll, pa asnjë filtër, pa asnjë politikë. Atëherë, për këtë duhet punuar, jo për faktin që, nëse e bën Xhorxha është keq, nëse e bën Minniti është mirë, apo e anasjellta.
Rai3: Pjesa tjetër e Europës e ka përqafuar këtë projekt. Manifesti zgjedhor i partive popullore europiane përmban pikërisht këtë zgjidhje: pritjen e migrantëve në kërkim të azilit në vendet e treta. Do të ndërtohen qendra të tjera këtu në Shqipëri?

KM: Ndjesë, mbi të gjitha, mendoj se pjesëmarrja e vendeve të treta nuk është zgjidhje në vetvete. Pjesëmarrja e vendeve të treta duhet të jetë vetëm pjesë e një zgjidhjeje më komplekse, sepse, nëse mendohet që vendet e treta janë zgjidhja, atëherë, nuk do të shkojmë kurrkund, nuk do të ketë zgjidhje dhe do të përfundojmë t’i biem murit që kemi përballë ose të përplasemi me ajsbergun që na ka dalë përpara. Të flasësh për këtë sfidë shumë të madhe që ka Europa, si të ishte diçka që lidhet me zgjedhjet e ardhshme, mandatet e ardhshme, mundësisë së ardhshme për t’u ngjitur në pushtet, është njësoj si të luash muzikë, teksa Titaniku po mbytet.

Nga ana tjetër, të mbytesh, themi ne, nuk di nëse e keni edhe ju në italisht, të mbytesh me një pikë ujë dhe ta paraqesësh këtë përpjekje për të krijuar diçka, për të provuar diçka – pa pretenduar se do zgjidhim problemin, po sidoqoftë duke kërkuar rritjen e pjesëmarrjes së vendeve – si diçka për t’u hedhur tutje, është shumë nënçmuese dhe vërtet qesharake.


Shtuar 2.06.2024 22:30