Edi Rama ka bërë të ditur se nuk synon të largohet nga posti i kryeministrit, pasi misioni i tij politik do të vijojë derisa Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Ai i bëri këto deklarata në Pallatin e Brigadave, gjatë një mbledhjeje me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare të Kuvendit.
Duke iu referuar zërave që kërkojnë dorëheqjen e tij, Rama tha se braktisja e mandatit të dhënë nga shumica për shkak të thirrjeve të një pakice nuk mund të konsiderohet as udhëheqje dhe as përgjegjshmëri institucionale.
Të lidhura
None found
“Ajo këngë më pëlqen dhe më jep aq shumë energji, sa më shkon mendja se mund të bëj edhe një këngë tjetër me të. Megjithatë, përtej këngës, largimi nga detyra që na është besuar nga shumica, vetëm sepse një pakicë bërtet në kor, nuk është as cilësi e një udhëheqësi, as përgjegjësi institucionale dhe as modesti intelektuale. Do të ishte thjesht braktisje e përgjegjësisë”, u shpreh ai.
Sipas kryeministrit, tërheqja në këtë moment do të përbënte edhe një shpërfillje të pafalshme të një porosie të rëndësishme kombëtare. Ai theksoi se kushdo mund të vazhdojë të këndojë, ndërsa misioni do të përfundojë vetëm kur flamuri shqiptar dhe Skënderbeu të çohen në Bashkimin Europian.
Rama deklaroi se nuk dëshiron që Shqipëria të humbasë orën vendimtare të rrugëtimit drejt BE-së. Ai shtoi se, po të mos ekzistonte kjo agjendë europiane, do të ishte tërhequr në katundin e tij dhe do të kishte lënë gjithashtu drejtimin e Partisë Socialiste.
Gjatë takimit, kryeministri paraqiti edhe aneksin e ri të dokumentit “Besa”, që ka të bëjë me reflektimin mbi lëvizjen në bulevardin e “Flamingove”.
