Një vit më vonë: Si do të përfundojë lufta në Ukrainë ?

Nga Owen Matthews “The Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në fillimin e tetorit 2021, presidenti amerikan Joe Biden, drejtori i CIA-s William Burns dhe anëtarë të tjerë të lartë të ekipit të sigurisë kombëtare u mblodhën në Zyrën Ovale për të dëgjuar një konferencë shqetësuese nga kreu i ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley.

Të dhënat “të detajuara e të jashtëzakonshme” të mbledhura nga agjencitë perëndimore të spiunazhit, tregonin se Vladimir Putin mund të ishte duke planifikuar pushtimin e Ukrainës. Sipas shënimeve që Milley i ndau më vonë me “Washington Post”, problemi i parë dhe më themelor me të cilin ballafaqohej Biden ishte se si të “mbronte rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla” nga një vend me aftësi të jashtëzakonshme bërthamore, pa shkuar drejt Luftës së Tretë Botërore”.

Vetë Milley ofroi 4 përgjigje të mundshme: 1. Të mos ketë asnjë konflikt direkt midis ushtrisë amerikane apo NATO-s me Rusinë. 2. Lufta të mbahej e kufizuar brenda kufijve gjeografikë të Ukrainës. 3. Forcim dhe ruajtje e unitetit të NATO-s. 4. Fuqizimi i Ukrainës dhe furnizimi me mjetet për të luftuar.

Teksa po afrohet përvjetori i parë i pushtimit katastrofik të Putinit, SHBA-ja i ka shtyrë deri në kufijtë maksimalë të 4 “vijat e kuqe”. Lufta mbetet e kontrolluar gjeografikisht, por Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, akuzoi në dhjetor Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n se po luanin një “rol të drejtpërdrejtë dhe të rrezikshëm” në luftë, gjë që ishte shumë pranë shpalljes së luftës nga NATO.

Kjo e fundit mbetet kryesisht e bashkuar, edhe pse në aleancë po shfaqen të çara. Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, deklaroi kohët e fundit se ai ishte “kundër dërgimit të çdo lloj arme vdekjeprurëse në Ukrainë, pasi ajo e zgjat luftën”, ndërsa e quajti “thellësisht imorale dhe që nuk prodhon asnjë zgjidhje” mbështetjen e Perëndimit për Kievin.

Aktualisht ushtria e Ukrainës është më e pajisur se ajo e shumicës së anëtarëve të NATO-s. Pra, ndërsa Perëndimi e kaloi Rubikonin e furnizimit me tanke luftarake të Kievit, ia vlen që të rishikojmë enigmën e parë dhe më të ngutshme të Milley: si të shmangim shndërrimin e konfliktit në Ukrainë në një luftë botërore.

Dhe në këtë rast, ia vlen të merren parasysh realisht skenarët e ndryshëm për përfundimin e luftës. Skenari i fitores së Ukrainës është i qartë: të dëbojë trupat ruse nga çdo pëllëmbë e territorit të saj, përfshirë Krimenë dhe republikat e vetëshpallura të Donbasit, të aneksuara nga Rusia.

Disa zyrtarë në Kiev kanë folur gjithashtu për detyrimin e Rusisë për të paguar dëmshpërblime dhe për dorëzimin e komandantëve të saj – deri dhe Putinin – në bankën e të akuzuarve të një gjykate ndërkombëtare për krimet e luftës. Por ky nuk ka qenë gjithmonë qëndrimi i Zelensky.

Në ditët e para të luftës, si dhe gjatë raundeve të negociatave të dështuara midis Moskës dhe Kievit, që u ndërmjetësuan nga turqit në mars dhe prill 2022, Zelensky la të kuptohet gjerësisht se anëtarësimi i plotë në NATO dhe statusi i Krimesë dhe Donbasit ishin të negociueshme.

Në retrospektivë, duhet thënë se ajo ishte një marrëveshje që Putin duhet ta kishte pranuar. Por bisedimet u ndërprenë për shkak të arrogancës së Moskës, sepse Ukraina nisi të arrinte disa fitore taktike në fushën e betejës, dhe ndoshta më e rëndësishmja, sepse mbështetja ushtarake e Perëndimit i dha mundësi Zelensky të braktiste pragmatizmin e tij të hershëm – që buronte nga dobësia ­- dhe të kalonte në një pozicion maksimalist që ishte moralisht më i qartë, por politikisht dhe ushtarakisht më i rrezikshëm.

Sipas Gideon Rose, autor i librit “Si financohen luftërat”, çdo luftë ka pasur 3 faza: sulmi fillestar, beteja për avantazh dhe fundi i lojës. Kjo e fundit ka prodhuar në mënyrë të pashmangshme një nga dy rezultatet: ose vala e luftës kthehet në mënyrë të pakthyeshme në favor të njërës palë, si fitoret e aleatëve në vitet 1918 dhe 1945, ose konflikti përfundon në një lloj paqeje të dakordësuar reciprokisht.

Në rastin më të mirë si një paqe e negociuar, si ajo midis Egjiptit dhe Izraelit në vitin 1973, dhe në rastin më të keq një ngërç që vjen pas një rraskapitje nga të dyja palët, si në Kore në  vitin 1953 apo në Qipro në vitin 1974. Aktualisht, lufta në Ukrainë është ende në fazën e saj të mesme: pra në betejën për avantazh.

As Rusia dhe as Ukraina nuk janë të interesuara që të negociojnë në këtë moment, sepse secila palë ose po përpiqet të fitojë plotësisht, ose të paktën të përmirësojë pozicionin e saj në fushën e betejës, duke pasur kësisoj një pozicion më të fortë, nga i cili përfundimisht mund të vendosë kushtet për paqen.

Udhëheqësit më të lartë evropianë të NATO-s, janë dakord me qëndrimin e SHBA-së për furnizimin me armë sulmuese të Kievit. Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz – që para pushtimit dërgoi në Ukrainë vetëm 5000 helmeta – ka pranuar më në fund të dërgojë tanke luftarake “Leopard 2”.

Por nëse gërmon paksa më thellë në këtë unitet të dukshëm të aleatëve, shfaqet një hendek i qartë midis vizionit të fitores së NATO-s dhe atij të Ukrainës. Zelensky këmbëngul në çlirimin e Krimesë për të rivendosur integritetin territorial të Ukrainës.

Edhe analistë të shquar perëndimorë, si gjeneral-lejtnanti në pension Ben Hodges, ish-komandant i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Evropë, këmbëngulin se rimarrja e Krimesë është “strategjikisht jetike” për sigurinë e ardhshme ushtarake të Ukrainës. Por po ashtu është e qartë se për ta rikthyer Krimenë dhe ish-republikat rebele të Donbasit nën kontrollin e Ukrainës, duhet një lloj lufte shumë e ndryshme nga ajo aktuale.

Në vend të çlirimit, ajo do të jetë një luftë pushtuese. Aneksimi i gadishullit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 ishte qartazi i paligjshëm. Edhe referendumi që pasoi, ku 97 për qind e votuesve zgjodhën të bashkoheshin me Federatën Ruse, ishte larg nga të qenit i lirë apo i drejtë.

Më pak e qartë është situata në republikat rebele të Donbasit, edhe për shkak të spastrimit masiv etnik, ku 2/3 e popullatës së paraluftës të Republikave Popullore të Donetskut dhe Luganskut janë larguar. Por Anne Nivat e gazetës franceze “Le Point”, një nga gazetaret e pakta të pavarura perëndimore që vizitoi Donbasin e kontrolluar nga Rusia në fund të vitit të kaluar, më tha se “nuk takoi askënd që dëshironte të ribashkohej me Ukrainën”.

Kjo përputhet me raportimin tim në Donetsk dhe Lugansk në vitin 2014. Ata që ishin dashamirës ndaj Kievit ishin përndjekur derisa ishin larguar, ndërsa ata që mbetën ishin pak a shumë të gjithë anti-ukrainas. Burrat në republikat rebele janë rekrutuar në mënyrë të pamëshirshme, dhe janë dërguar si mish për top në luftë.

Nëse gjaku i tyre i bën ata dhe familjarët e tyre pro apo kundër Kievit, kjo mbetet për t’u parë. Por New York Times raportoi së fundmi mbi besnikërinë e ndarë edhe mes banorëve vendas në Khersonit dhe pjesëve të Donbasit të çliruara nga trupat e Kievit. Dhe kjo ngre një pyetje shumë të pakëndshme: A dëshiron Perëndimi t`i detyrojë njerëzit që t’i bashkohen një kombi ku ata nuk dëshirojnë të jenë pjesë?

Në Ukrainë, kjo temë ishte tabu edhe para luftës. Ministri i parë i Jashtëm i Zelensky, Vadym Prystaiko, sot ambasadori i Ukrainës në Londër, u shkarkua pasi tha se e ardhmja e Donbasit duhet të vendoset nga banorët që jetojnë atje. Tragjedia e kësaj lufte, është se nuk ka zgjidhje të drejtë apo të sigurt.

Nëse Putin avancon më tej dhe pastaj shpall armëpushimin dhe bën thirrje për bisedime, aleanca e NATO-s do të përçahet menjëherë midis atyre anëtarëve që duan drejtësi dhe atyre që duan paqen. Edhe skenari optimist i sprapsjes së rusëve në kufijtë e para-pushtimit, do ta linte ende Ukrainën të copëtuar dhe Putinin ndoshta ende në pushtet.

Tragjikisht, nuk ka thuajse asnjë skenar real për fundin e kësaj lufte, që nuk do të përfundonte me thirrjen e ukrainasve “Tradhti!”. Por nëse alternativa do të ishte nisja e Luftës së Tretë Botërore, ndoshta në fund ajo mund të jetë alternativa më pak e keqe. /albeu.com

Marrë me shkurtime

raketat tanket avionet Ukraina

raketat tanket avionet Ukraina

raketat tanket avionet Ukraina

raketat tanket avionet Ukraina


Shtuar 3.02.2023 11:42