Radhe të gjata në Kakavijë, fluks i lartë hyrjesh në Shqipëri

Radhe të gjata automjetesh janë krijuar në Pikën Kufitare të Kakavijës, si pasojë e fluksit të lartë të qytetarëve që udhëtojnë drejt Shqipërisë për të kaluar pushimet e verës. Kolona nga pala greke është shtrirë deri në 3 kilometra.

Për të përballuar këtë fluks, pala shqiptare po punon me tre sportele, ndërsa pala greke me dy, por vonesat vijojnë për shkak të numrit të madh të udhëtarëve.

Sipas të dhënave zyrtare nga PKK Kakavijë, gjatë 24 orëve të fundit janë përpunuar gjithsej 15,112 shtetas në hyrje dhe dalje, prej të cilëve 10,551 kanë hyrë në territorin shqiptar dhe 4,561 kanë dalë. Po ashtu, janë përpunuar 4,942 mjete, nga të cilat 3,578 në hyrje dhe 1,364 në dalje.

Ky fluks i lartë pritet të vijojë deri më 15 gusht, datë që përkon me festën e Shën Mërisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme fetare për komunitetin ortodoks. Pas kësaj date, pritet që fluksi të rritet në dalje nga territori shqiptar, ndërsa muaji gusht konsiderohet si periudha më e ngarkuar për këtë pikë kufitare gjatë gjithë sezonit veror.


Shtuar 10.08.2025 16:26