Erlis Sina reagoi këtë të martë ndaj një postimi të bërë më herët nga Kryeministri Edi Rama, ku sipas tij ishte përdorur fotografia e tij në lidhje me protestën qytetare që po zhvillohet në Tiranë dhe që ka hyrë në ditën e 24-t.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Sina shprehet se nuk pranon të barazohet me figurën e kreut të qeverisë dhe e konsideron atë përgjegjës për problemet që, sipas tij, i kanë nxjerrë qytetarët në protestë.
Të lidhura
None found
“Mos më thuaj se te fotografia ime sheh veten tënde. Unë nuk jam ti. Nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë. Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve”, shkruan Sina në reagimin e tij.
Më tej, ai drejton kritika të hapura ndaj qeverisjes, duke e cilësuar kryeministrin si “autor të emigrimit të mijëra të rinjve”, të padrejtësive dhe të arrogancës së pushtetit.
Në reagimin e tij, Sina ndalet edhe te protesta qytetare në kryeqytet dhe thekson se ata që marrin pjesë nuk dalin në shesh për shkak të ndikimit të algoritmeve, influencerave apo forcave politike, por sepse përballen çdo ditë me vështirësi reale.
“Mijëra njerëz nuk mbushin sheshet sepse i manipulon algoritmi. Nuk protestojnë sepse ua kërkojnë influencerat. Nuk zemërohen sepse ua dikton opozita. Ata dalin në shesh sepse jetojnë realitetin çdo ditë”, shprehet ai.
Sipas tij, protesta ushqehet nga vështirësitë ekonomike, gjendja e shërbimeve publike dhe largimi i të rinjve nga vendi, ndërsa akuzon Ramën se po tenton të zvogëlojë arsyet e zemërimit qytetar.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, Sina i kërkon kryeministrit të mos e përdorë fotografinë e tij për të justifikuar apo fshehur, sipas tij, dështimet e qeverisjes.
“Fotografia ime në murin tënd më bën pis. Mos e përdor për të larë përgjegjësitë e tua. Mos e përdor për të fshehur dështimet e tua. Unë nuk jam ti”, përfundon reagimin e tij.
Kjo kundërpërgjigje erdhi pasi më herët gjatë së martës, Kryeministri Edi Rama publikoi një mesazh të gjatë për protestuesit e tubimit që po mbahet në Tiranë prej 24 ditësh, duke përdorur edhe fotografinë e qytetarit.
Në atë mesazh, Rama tha se protestuesit nuk i konsideron humbës, por qytetarë që u kanë qëndruar besnikë bindjeve dhe shqetësimeve të tyre. Ai u shpreh se një pjesë e tyre mund të jenë të shtyrë nga probleme reale që lidhen me ekonominë, pronën, mjedisin, shëndetësinë apo padrejtësitë sociale.
Po ashtu, kreu i qeverisë argumentoi se zemërimi i qytetarëve shpesh shfrytëzohet nga aktorë politikë, komentatorë, influencerë dhe mekanizma të rrjeteve sociale për interesa të ndryshme, teksa u bëri thirrje protestuesve të mos lejojnë që shqetësimet e tyre të përdoren nga të tjerët.
Pikërisht ndaj këtyre deklarimeve dhe përdorimit të fotografisë së tij në postimin e Ramës, Erlis Sina publikoi reagimin, duke nënvizuar se është “thjesht një qytetar” dhe se pjesëmarrja e tij në protestë vjen nga bindjet dhe përvoja e tij personale, jo nga ndikimi i faktorëve politikë apo mediatikë.
