Qytetarët “fundosin” efektivët, Prokuroria dhe SHÇBA nisin hetimet për 21 punonjës policie

Prokuroria ka nisur hetimet për 21 punonjës policie.

Efektivët janë dërguar në Prokurori nga SHÇBA, pas ankesave të qytetarëve.

Ndërkohë që 4 policë janë arrestuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

Struktura për të cilën ka më shumë ankesa është Policia e rendit. Sjellja e punonjësve të Policisë në raport me qytetarët mbetet problematike, pasi 21 efektivë janë denoncuar në Prokurori gjatë muajit janar 2022. Referimet kanë ardhur pas ankesave të qytetarëve, por edhe pas hetimeve, të cilat janë ndjekur nga SHÇBA, e cila ka gjetur edhe shkeljet e punonjësve të rendit.

Po ashtu, përgjatë muajit të parë të vitit, 4 efektivë të Policisë kanë përfunduar në pranga, ku 2 prej tyre ishin me urdhër nga gjykata, e ndërsa 2 të tjera kanë qenë arrestime në kushtet e flagrancës. Po gjatë hetimeve për zbulimin e ngjarjeve, kanë rezultuar se edhe 2 efektivë janë përfshirë si autorë në këto krime, duke u shpallur në kërkim.

Në zyrat e SHÇBA-së kanë mbërritur të paktën 300 telefonata, ndërkohë që janë trajtuar 169 prej tyre. Në këto thirrje, qytetarët janë ankuar më shumë ndaj efektivëve të Policisë së Rendit, me 84 SMS e ndërsa pas tyre renditet Policia Rrugore, me 42 ankesa, 34 ankesa ka pasur efektivët e Hetimit të Krimit, 4 kanë qenë për Burimet Njerëzore, e ndërsa 3 ankesa kanë qenë për efektivët e Kufirit dhe Emigracionit, raporton Panorama.

Një pastrim i tillë në radhët e policisë ka qenë edhe një premtim nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, që kur ai mori detyrën./albeu.com/


Shtuar 8.02.2022 14:17