Qeveria talebane në Afganistan me ultimatum: Parukeritë të mbyllen brenda një muaji

Qeveria talebane e Afganistanit ka urdhëruar që sallonet e bukurisë në vend të mbyllen brenda një muaji, tha ministria e etikës, duke kufizuar më tej aksesin e grave në jetën publike.

“Afati i fundit për mbylljen e salloneve të bukurisë është një muaj”, tha Mohammad Sadiq Akif, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Morale dhe Promovimit të Virtytit.

Qeveritë e huaja dhe zyrtarët e OKB-së kanë dënuar kufizimet në rritje të talebanëve ndaj grave që kur ata morën pushtetin në vitin 2021.

Vitin e kaluar, autoritetet afgane mbyllën shumicën e shkollave të mesme të vajzave, ndaluan gratë të hynin në universitet dhe të punonin në organizatat e ndihmës. Prania e grave është e ndaluar në shumë vende publike, si banja, gjimnaze dhe parqe.

Sallonet e bukurisë u shfaqën në Kabul dhe qytete të tjera afgane pas rënies së regjimit të parë taleban në fund të vitit 2001.

Shumë prej tyre qëndruan të hapura pas vitit 2021, me tabela dhe dritare të mbuluara, duke u ofruar disa grave punë dhe klientëve femra.


Shtuar 4.07.2023 09:52