Qeveria show me arsimin në ekran, nxënësit në Librazhd dhe Dilmal vuajnë akoma pasojat e tërmetit, mësim në bodrume e lokale

Fshati Goriçan, i cili ka afërsisht 800 familje, aktualisht nuk ka shkollë publike.

Ambientet e shkollës së Goriçanit që prej katër vitesh pas tërmetit të 2019-tës janë bërë të pa sigurta. Rreth 100 fëmijë të ciklit të ulët të kësaj shkolle po vazhdojnë lëndët mësimore në  një lokal të improvizuar.

“Pasi shkolla që kemi pasur është jashtë përdorimit në prishje e sipër, mirë do ishte që të ishte bërë shkolla, po ajo nuk është bërë sot për sot bëhet te klubi që kemi këtu pas shpine. Ka një gjë se këtu e biem se është afër, ndërsa po na e çuan në vend tjetër nuk mund ta shoqërojmë dot si t’ia bëjmë hallit?, prandaj sa të behet ajo le të vazhdojë mësimi në kushtet që është ama e kemi të sigurt të paktën për jetën e saj se mund të aksidentohet, nuk e ndjekim dot ta çojnë në një fshat tjetër,” u shpreh një banor.

Ndërsa kryeplaku i fshatit Goriçan shprehet për Euroneës se kanë qenë vetë prindërit që kanë kërkuar marrëveshje me bashkinë e Dimalit për ndjekjen e lëndëve mësimore në këto ambiente, megjithatë, sipas tij shkolla e re së shpejti do të jetë gati.

Edhe pse nga ana e Drejtorisë së Arsimit thuhet që punimet për rikonstruksionin e ambienteve të kësaj shkolle do të nisin pas një muaji, ende nga ana e bashkisë nuk ka një njoftim zyrtar mbi tenderin dhe vlerën që janë akorduar për këtë objekt.

Ky nuk është fshati i vetëm pa shkollë, pasi në Funarë të Librazhdit fëmijët ende nuk kanë nisur mësim.

Shkolla e tyre është dëmtuar pas tërmetit të vitit 2019.  Një pjesë e fëmijëve ka shkuar në Librazhd për të ndjekur mësimin në shkolla të tjera, ndërsa pjesa më e madhe nuk kanë pranuar të vijojnë mësimin në ambiente alternative si vitet e kaluara, siç janë lokale apo bodrume etj.

Për shkollën ekzistuese u mor vendimi për ta mbyllur, deri në një moment të dytë kur të vendosej se çfarë do bëhej me objektin, nxënësit do zhvillonin mësim në ambiente alternative. Prindërit kanë pranuar fillimisht, por kjo situatë vijon prej 4 vitesh dhe ata tashmë kërkojnë shkollën për të çuar fëmijët e tyre.

Mësuesit nuk janë në protestë me prindërit. Drejtori i shkollës ka bërë kërkesa dhe njoftime të vazhdueshme për autoritetet, por nuk kanë marrë masa./Albeu.com


Shtuar 15.09.2023 18:34