“Çmimet janë rritur me 30%”, Rama i përgjigjet Tabakut: Unë nuk kam shkollë, ku i gjeni këto shifra që tregoni?!

Kryeministri Edi Rama ka marrë fjalën në seancën e sotme plenare për t’i kthyer përgjigje akuzave të deputetes demokrate Jorida Tabaku rreth situatës së çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve në vend.

Deputetja demokrate tha, duke cituar shifrat nga INSTAT se çmimet janë rritur me 30 për qind duke u vështirësuar akoma më shumë jetën kështu shtresave në nevojë në vend.

Megjithatë, për Ramën fjalët e deputetes nuk qëndrojnë pasi, duke cituar INSTAT-in, ai tha se rritja e inflacionit në vendin tonë është më e ulëta në rajon. Po ashtu, ai theksoi se qeveria subvencionon 100 për qind diferencën e energjisë duke bërë që çmimet të mos rriten dhe të mbeten siç ishin para krizës.

“Jam dakord me ju Tabaku, është shumë e rëndësishme e që të flasim për jetën e përditshme të njerëzve dhe dike qenë se unë nuk kam shkollë, nuk po hyj tek debati juaj me ministrin e financave, por po i marr me radhë disa nga gjërat që thatë ju. Duke qenë se ju flisni me shifra, do të isha shumë mirënjohës nëse do të na orientonit ku i keni gjetur sepse unë i kam përpara. Sipas Instat, inflacioni në Shqipëri është  rritur 6.2 në Serbi 9.6 e në vende të tjera më lartë. A ka vallë ndonjë arsye pse Shqipëria të jetë s gjysma e vendeve të rajonit? Me siguri po. Së paku janë dy. E para fakti që vetëm në Shqipëri, çmimi i energjisë vazhdon të mbahet aty ku ishte para sesa të shfaqeshin simptomat e krizës. Ndërsa kudo tjetër po bën reprezalje. Nafta është kudo komponent, por energjia të cilën vazhdojmë të paguajmë nga buxheti, është arsyeja ose kemi këtë normë inflacioni. E dyta rritja e prodhimit vendas, sepse nuk e kemi importuar të gjithë masën e inflacionit nga vendet e tjera. Dje solla një shifër konkrete në samit, vetëm për eksportet me Serbinë dhe RMV kemi një rritje thuajse dyfish në aspektin e fondeve”, tha Rama./albeu.com


Shtuar 9.06.2022 12:10