Qeveria, në mbledhjen e sotme ka miratuar një vendim për planin vjetor të pranimit në administratë.
850 është numri i punonjësve që parashikohet që të rekrutohen në disa kategori duke filluar nga drejtues deri te specialisti i thjeshtë.
230 punonjës do të pranohen vetëm në Kadastër si operatorë skanimi dhe dixhitalizimi të kartelave.
VENDIMI I PLOTE
PLANIN VJETOR TË PRANIMIT PËR VITIN 2022, NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESË TË SHËRBIMIT CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2022 është gjithsej 850 (tetëqind e pesëdhjetë), të ndara sipas kategorive të mëposhtme:
a) Për trupën e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues 3;
b) Për kategorinë e mesme drejtuese 53;
c) Për kategorinë e ulët drejtuese 190;
ç) Për kategorinë ekzekutive 604.
Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm në kategorinë ekzekutive janë, si më poshtë vijon:
– Shkenca juridike;
– Audit i brendshëm;
– Shkenca ekonomike;
– Shkenca ekonomike/juridike;
– Shkenca shoqërore;
– Shkenca sociale;
– Histori-filologji;
– Shkenca mjekësore;
– Veterinari;
– Agronomi;
– Shkenca biologjike dhe të ngjashme me to;
– Kimi;
– Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme;
– Shkenca inxhinierike;
– Arkitekturë;
– Arkeologji dhe restaurime;
– Artet e bukura;
– Gjeodezi;
– Shkenca ekzakte;
– Shkenca edukimi;
– Mësuesi;
– Arsim i lartë ushtarak/policor;
– Arsim i lartë.
Institucionet e administratës shtetërore, ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2022, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.