Qeveria e Kosovës thotë se iniciativa e ‘mini-Shengenit’ është nismë pa vizion për rajonin.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë në Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, që deri tani njihej si “mini-Shengeni” Ballkanik.
Nga ky forum, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar edhe vendet tjera në rajon që t’i bashkohen nismës “mini-Shengenit”, si mundësi e vetme për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lëvizjes.
Përmes një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zyra për media e Qeverisë së Kosovës tha se “qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘mini-Shengen’, tashmë janë të njohura”.
“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje.
Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si nikoqir i këtij takimi, u ka bërë thirrje të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen kësaj nisme.
“Nisma është e hapur për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, andaj i ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë që të bashkohen për shkak të popujve tanë. Ne të gjithë jemi Ballkan Perëndimor dhe evropian. Ta krijojmë një vizion për zhvillim real për të përfituar të gjithë qytetarët tanë”, tha Zaev.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e “mini-Shengenit”, pasi sipas tij, rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian dhe jo nismave që sipas kryeministrit të Kosovës, janë të dëmshme për shqiptarët.
Mesazhi i Ramës për kryeministrin Kurti
Mesazhe nga Shkupi në drejtim të kryeministrit Kurti, ka dërguar homologu i tij shqiptar, Edi Rama.
Ai tha se kush thotë që kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, jeton në një botë tjetër.
“E para, jeton në një botë paralele. E dyta, jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe për forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta, harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se edhe Bashkimi Evropian është një Jugosllavi e madhe. Nëse Bashkimi Evropian është Jugosllavi e madhe, kjo është Jugosllavi e vogël”, tha Rama.
Përveç kryeministrit Kurti, kundër kësaj iniciative është shprehur edhe drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.
Ai tha për Radion Evropa e Lirë se asnjë iniciativë rajonale që nuk i përfshin të gjithë, nuk mund të ketë sukses.
“Ajo që vendet e rajonit duhet të gjejnë në këtë rast, është një konsensues që brenda procesit të Berlinit apo brenda ndonjë iniciative tjetër, të arrijnë atë që po synojnë që të ketë një rajon ekonomik që është atraktiv për tregti dhe për investime. Në këtë situatë, kur janë vetëm tri vende, unë nuk besoj që kjo inciativë do të ketë sukses”, tha Rukiqi.
Qeveria e Republikës së Kosovës, u bën thirrje qeverive të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian dhe marrëdhënieve transatlantike./REL