Shteti i Kilit i ka kërkuar falje një gruaje, të cilën e sterilizuan me forcë mjekët, për shkak se ishte HIV pozitive.
Gruaja, të cilën e thërrasin Francisca, u diagnostikua me HIV në mars 2002, ndërsa ishte shtatzënë me fëmijën e saj të parë.
Ajo ishte nën anestezi, gjatë një seksioni cezarian, kur mjekët në një spital publik kryen një sterilizim kirurgjik, me arsyetimin se “do të ishte e papërgjegjshme që, një grua HIV pozitive, të kishte më shumë fëmijë”.
Kur u zgjua, pas operacionit, një infermiere e informoi se e kishin sterilizuar pa pëlqimin e saj.
“Ky akt i dëmshpërblimit ripohon angazhimin e shtetit për të riparuar dëmin e shkaktuar nga veprimet e punonjësve të tij”, tha Antonia Urrejola, ministrja e punëve të Jashtme të Kilit, e cila paraqiti faljen zyrtare së bashku me presidentin Gabriel Boriç të enjten pasdite.
Në vitin 2020, programi UNAids vlerësoi se ka 77 mijë njerëz që jetojnë me HIV në Kili.
Sipas organizatës, gratë, të cilat jetojnë me HIV, kanë më shumë gjasa të jenë viktima të dhunës, ndërsa u nënshtrohen procedurave të shëndetit riprodhues.
Pabarazitë sociale dhe ekonomike përkeqësojnë gjithashtu rreziqet për gratë.
Francisca jetonte në një komunitet të varfër rural dhe nuk kishte pasur kurrë akses në edukimin seksual ose riprodhues.
Ajo nuk kishte marrë asnjë udhëzim në lidhje me rreziqet, avantazhet dhe alternativat e sterilizimit, pavarësisht një kërkese ligjore për pëlqimin me shkrim të pacientit.
Në vitin 2007, Francisca vendosi të ngrinte një padi kundër mjekut, i cili pretendonte se kishte marrë pëlqimin verbal dhe çështja e saj u pushua një vit më vonë, kur një gjykatë vendosi se nuk përbënte krim.
Dy vjet më vonë, çështja u soll në Komisionin Ndër-Amerikan për të Drejtat e Njeriut nga Qendra për të Drejtat Riprodhuese dhe Vivo Positivo, dy organizata që vepronin në emër të Francisca-s.
Më 3 gusht 2021, shteti kilian nënshkroi një marrëveshje, në bazë të së cilës pranonte përgjegjësinë.
Kjo marrëveshje do të thoshte edhe se Kili ishte përgjegjës për kompensimin e Francisca-s për dëmet e shkaktuara, duke ofruar një subvencion për strehim dhe kujdes shëndetësor si për të, edhe për djalin e saj.
Nga ana tjetër, do të thoshte rritje të ndërgjegjësimit ndaj HIV-it dhe të drejtat riprodhuese.
“Jam e lumtur të di se rasti im mund të shërbejë për t’u dhënë fund stereotipeve për njerëzit që jetojnë me HIV dhe për të përmirësuar kujdesin shëndetësor për gratë e tjera”.
Të drejtat riprodhuese janë liberalizuar vetëm kohët e fundit në Kili.
Deri në vitin 2017, aborti ishte i kriminalizuar në të gjitha rrethanat, edhe kur ishte e nevojshme për të shpëtuar jetën e gruas.
Tani është e ligjshme në tri raste, kur jeta e nënës është në rrezik, në rast të një shtatzënie të paqëndrueshme, ose nëse shtatzënia ka ardhur nga një përdhunim.
Qeveria e re progresive e Kilit, e udhëhequr nga presidenti Boric, 36 vjeç, është angazhuar për forcimin e të drejtave seksuale dhe riprodhuese.
Vendi ka finalizuar së fundmi një draft të një kushtetute të re që mund të zëvendësojë dokumentin e vitit 1980, i cili u nënshkrua në ligj, edhe pse më vonë u reformua, nën diktaturën e Gjeneral Augusto Pinochet (1973-1990).
Drafti do të hidhet në një plebishit mbarëkombëtar më 4 shtator. Ai ruan autonominë e një individi mbi trupin e tyre, të drejtën për edukim seksual dhe hap rrugën për aksesin ndaj abortit.